Lajme
Në Kosovë “ryshfeti për patentë shofer një sekret publik”
Demokracia
14:56 | 27 Janar 2024

Share:

Njohës të çështjeve të komunikacionit rrugor kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me patentë shoferët. Sipas tyre kandidatët po pajisen me patentë shofer pa pasur aftësinë e duhur me ç‘rast numri i aksidenteve shtohet nga viti në vit. Këto deklarata ata i bënë pasi që zëvendësministri i infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se ka u ka shkëputur kontratën me tre testues të kandidatëve për patentë shoferë të cilët kishin ndikim në gjithë territorin e Kosovës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës. Ndërsa qytetarët flasin për përvojat e tyre me ekzaminerët e patentë shoferëve.

Në vendin e tyre të punës tek stacioni i autobusëve tre ekzaminerë nuk do të dalin më. Atyre iu ndërpre kontrata e punës nga Ministria e Infrastrukturës në departamentin për Patentë-shofer, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Të dashur qytetarë, Këtë veprim e kam bërë pas informatave për dyshime të bazuara në keqpërdorime të mëdha në procesin e punës. Ditëve në vazhdim do të prezantojmë të gjitha të gjeturat që lidhen me keqpërdorime shumë të mëdha në njësitë për patentë shofer gjithandej Kosovës”, ka thënë Durmishi.

Manipulimi me patentë shoferë nuk është një dukuri e re në Kosovë. Ka pasur disa arrestime të ekzaminerëve e instruktorëve, nën dyshimet për ryshfet në lëshimin e patentë shoferëve.

Dhënia e patentës së vozitjes me para ka nxjerrë shumë shoferë të paaftë në trafik, që për pasojë janë shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve.

“Po, kom pas rast ni shok ka pas aksident fatmirësisht jo fatal, ka pagua 300 euro e kështu sillet çmimi 300 deri në 500 euro, unë tash ka me hi n’test”, tha një qytetar.

“Po kom ndëgju që patenta shoferët jepën me pare”, tha një tjetër qytetar për RTV21.

“Po krejt me pare po i marrin normal që shkaktojnë aksidente”, tha një qytetar.

Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Kosovës në vitin 2023 u shënuan 94 aksidente fatale me gjithsej 104 persona të vdekur.

Njohësi i çështjeve të trafikut rrugor, Selman Kolgeci, thotë se në të shumtën e rasteve aksidentet shkaktohen nga shoferët e paaftë.

“Të dhënat që na vijnë nga terreni janë shqetësuese sepse ekziston një vullnet dhe praktikë edhe nga ngasësit por edhe testuesit dhe instruktorët që pjesën praktike të mos e mbajnë fare të shkojnë në provim pa shku fare në ligjërata dhe e njëjta gjë ndodhë edhe në pjesën praktike kur kandidati në bashkëpunim me instruktorin nuk i mbajnë orët sipas planifikimin dhe orët i shkruajn formalisht, edhe mos aftësimi i duhur i ngasësve normalisht që ndikon në rrugë sigurinë rrugore”, tha Kolgeci për RTV21.

Për t’u pajisur me patentë shofer qytetarët duhet të kalojnë testin me shkrim dhe atë praktik. Në testin me shkrim duhet të arrihen të paktën 85 pikë nga gjithsej 100 pikët maksimale.

Të ngjashme