Lajme
Në Kosovë po kërkohet “Një Kryeministër për Fëmijët”
Demokracia
10:27 | 28 Janar 2021

Share:

“Një Kryeministër për Fëmijët” po kërkohet nga KOMF. Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve ka adresuar sot dokumentin “Një Kryeministër për Fëmijët” tek të gjitha partitë politike.

KOMF përmes këtij dokumenti ka adresuar disa nga problemet dhe rekomandimet për partitë politike.

Po ashtu nëpërmjet një komunikate KOMF thotë se “Pandemia Covid-19 ka rënduar edhe më shumë gjendjen e fëmijëve në Kosovë, e sidomos atë të fëmijëve të cenueshëm, ku shumë fëmijë kanë mbetur pa shërbime. Periudha e zgjatur e izolimit dhe kushtet e rënda të jetesës kanë ndikuar në rritjen e përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve, rritjen e numrit të fëmijëve pa kujdes prindëror dhe përkeqësimin e gjendjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara”.

“Duke qenë se në Republikën e Kosovës më datë 14 Shkurt do të zhvillohen Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare, KOMF ka adresuar sot dokumentin “Një Kryeministër për Fëmijët”, tek të gjitha partitë politike, duke ju rikujtuar disa fakte rreth situatës së fëmijëve dhe nevojës që një qeverisje e mirë t’i adresojë ato. Në Kosovë: 22.8% e fëmijëve jetojnë në varfëri përderisa 7.2% e tyre jetojnë në varfëri ekstreme. 8% e fëmijëve të moshës 7-12 vjeç, janë raportuar të kenë vështirësi funksionale të paktën në një fushë dhe vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë përfitojnë nga shërbimet shëndetësore dhe sociale. Përfshirja e fëmijëve në shkolla mbetet tejet e ulët. 72% e fëmijëve nga 1 deri në 14 vjeç raportohet të jenë të disiplinuar me dhunë (presion psikologjik dhe/ose ndëshkim fizik). 5% e fëmijëve janë të përfshirë në punë. Vetëm 15% e fëmijëve të moshës 3-4 vjeç vijojnë programet për edukim në fëmijëri të hershme. Vetëm 38% e fëmijëve që jetojnë në komunitete janë vaksinuar plotësisht. Programi për vlerësim ndërkombëtar të nxënësve “PISA” e ka radhitur Kosovën në vendin e 76, në mesin e 78 shteteve të cilat i janë nënshtruar vlerësimit, duke rezultuar me nivel të ulët të cilësisë në arsim. Ofruesit e shërbimeve sociale për mbrojtjen e fëmijëve në vazhdimësi rrezikojnë mbylljen e shërbimeve si pasojë e mos financimit të qëndrueshëm. Investimet në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, janë ndër më të ulëtat në rajon. Shpenzimet nga xhepi i qytetarëve janë të larta, kjo në mungesë edhe të fondit për sigurime shëndetësore. Furnizimi me barna vazhdon të mos jetë i rregullt, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e fëmijëve./Demokracia

 

 

Të ngjashme