Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim ka votuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2021.
Mirëpo, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhërinë e Kosovës (AAK) kanë votuar kundër këtij projektbuxheti.
Kryetarja e këtij Komisioni Verica Ceraniq, ka treguar shumën që është ndarë për komunitete dhe me amendamente.
“Buxheti prej 1 milionë e 200 mijë euro, 600 mijë euro për komunitetet serbe dhe 600 mijë për komunitetet tjera”, ka thënë Ceraniq.
Ndërsa deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, fillimisht shprehu ngushëllime për personat që humbën jetën në aksidentin në Kroaci dhe tregoi që këtë buxhet si parti nuk do ta votojnë.
”Kur futemi brenda këtij buxheti ka çështje të cilat realisht duhet të diskutohen dhe do duhej të ndryshohen dhe të plotësohen. Unë deklaroj se si tillë ky buxhet nga deputetet e PDK-së dhe nga unë nuk do të votohet”, ka thënë Reçica.
Por këtë buxhet nuk e votoi as Shemsedin Dreshaj nga AAK, pasi që sipas tij ky buxhet ka ndasi politike në raport me komunat e tjera.
“Shfrytëzoj rastin të ju shpreh ngushëllime familjarëve dhe të lënduarve ju dëshiroj shërim të shpejtë. Në emër të Aleancës nuk do ta votojmë jemi kundër për shkak se është e vërtetë që ka primesa politike në raport me komuna të caktuara”, ka thënë Dreshaj.