Lajme
Në kohën e PAN-it, policia i kishte larguar vetë barrikadat në veri, a do ta bëjë edhe gjatë Qeverisë Kurti?
Demokracia
12:40 | 13 Dhjetor 2022

Share:

Arrestimi i ish-policit Dejan Pantiq, i dyshuar për sulmet ndaj zyrave të KQZ-së në veri, ka nxitur rikthimin e barrikadave në këtë pjesë të vendit. Ndonëse Policia e Kosovës ka kapacitete për largimin e tyre, Qeveria e Kosovës po pret që KFOR-i ta bëj largimin e barrikadave. Në vitin 2019, kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj autoblindat e policisë kishin rrokullisur kamionët që ishin vendosur në barrikada.

Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet me pretendime se do ta shtrij sovranitetin edhe në fort se qeveritë tjera në veri të vendit. Për të arritur këtë qëllim, ekzekutivi ka ndërmarr edhe disa veprime konkrete, të cilat u kritikuan nga ndërkombëtarët. Si rezultat i këtyre veprimeve është tensionuar situata në atë pjesë, ku serbët lokalë kanë vendosur t`i bllokojnë dy rrugët kryesore në pjesën veriore. Këto barrikada kanë bllokuar lirinë e lëvizjes dhe kanë detyruar qeverinë që t`i mbyll pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Qeveria e Kosovës është treguar e butë me këto barrikada, duke mos bërë asnjë përpjekje për largimin e tyre. Ndonëse kanë thënë se Policia e Kosovës ka kapacitete për largimin e tyre, Qeveria ka kërkuar ndihmën e KFOR-it për largimin e tyre.

Në këtë situatë, Qeveria Kurti vazhdimisht ka fajësuar qeveritë e kaluar për gjendjen në veri, duke harruar se ato qeveri në një rast kishin larguar edhe barrikadat që ishin vendosur nga serbët lokal.

Në kohen kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj, një tentativë e serbëve për t`i bllokuar rrugët kishte dështuar.

Në maj të vitit 2019, për të parandaluar një aksion të Policisë së Kosovës, i cili kishte për qëllim arrestimin e disa policëve që dyshohet se ishin përfshirë në kontrabandë, serbët lokal kishin vendosur barrikada në rrugën për në Zubin Potok.

Për të parandaluar aksionin e policisë, serbët kishin vendosur në rrugë disa kamion dhe sasi të konsiderueshme të drunjve.

Njësitet speciale të Policisë së Kosovës nuk kishin pritur shumë dhe me autoblindat e tyre kishin goditur kamionët në rrugë, duke i rrokullisur ata anash rrugës.

Na pamjet që kishte sjell kallxo.com shihet i gjithë aksioni i policisë.

Pastaj, efektivet e policisë i kishin larguar edhe drunjtë.

Në këtë aksion Policia e Kosovës kishte arrestuar disa ish-policë, të cilët dyshoheshin se ishin përfshirë në krim të organizuar dhe kontrabandë.

Gjatë këtij aksioni, policia kishte hasur edhe në sulme me zjarr, por nuk ishte zmbrapsur.

Si rezultat i këtyre sulmeve kishin mbetur të plagosur dy policë të Kosovës.

Kurti dhe Sveçla e presin KFOR-n

Deri me tani Qeveria e Kosovës nuk ka bërë ndonjë përpjekje për largimin e gjashtë barrikadave që janë vendosur në veri.

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë dënuar bllokimin e rrugëve dhe kanë kërkuar nga KFOR-i që të merret me largimin e tyre.

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, që është mbajtur të dielën, Kurti dhe Sveçla kanë thënë se forcat paqeruajtëse duhet të merren me lirimin e rrugës.

Ministri Sveçla ka thënë se policia ka kapacitet për largimin këtyre barrikadave.

“Policia ka kapacitete të duhura të veprojë në këtë drejtim. Në momentin që e vlerëson të duhur, nëse barrikadat nuk hiqen, do të ndërmarrin veprimet e duhura. Gjithë këto po ndodhin koordinim me partnerët. Besoj se shumë shpejt do të arrijmë situatën ku nuk do të ketë barrikada në këto dy rrugë”, ka thënë Sveçla.

Kurse, kryeministri Kurti ka thënë se për largimin e tyre janë duke e pritur i KFOR-in.

“KFOR po kërkon pak kohë që shpejt ta kryej këtë punë dhe ne po presim. Nëse pritja jonë për KFOR’in është zbutje, le të quhet zbutje. Por për të mirën e përgjishme, besoj që megjithatë jemi duke e zgjedhur rrugën më të mirë të mundshme”, ka thënë ai për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

Më tej, Kurti ka thënë se KFOR-i ka për mision garantimin e lirisë së lëvizjes pa dallim.

“Ne i bëjmë edhe njëherë thirrje KFOR’it që ta garantojë lirinë e lëvizjes. KFOR’i në Kosovë është për një ambient të qetë dhe të sigurtë, i cili nënkupton edhe lirinë e lëvizjes pa dallim. Bllokimi i lëvizjes, bllokimi i rrugëve publike me automjete të rënda për të penguar lirinë e lëvizjes, nga banda kriminale që qëllojnë mbi Policinë tonë e mbi policinë e EULEX’it, jo vetëm që është i papranueshëm, por duhet edhe të jetë i papërsëritshëm kurdoherë në të ardhmen. Andaj ne po presim”, ka thënë Kurti.

Barrikadat mund të largohen vetëm nga KFOR-i

Largimi i barrikadave në veri ka qenë mbrëmë edhe pjesë e debateve të shumta televizive.

Derisa deputeti i LV-së, Enver Dugolli, fajësonte qeveritë e kaluar për gjendjen në veri në emisionin “Debat Plus”, analisti Visar Imeri, ia ka rikujtuar atij, se si ato qeveria u kanë hequr vetë barrikadat.

Ish-kryetari i LV-së ka thënë se ajo kishte ndodhur në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare. “Kemi pas situatë me këto qeveritë e këqija, kur Policia e Kosovë si ka hequr barrikadat në veri. Janë të inxhizura . Sepse është bërë në bashkërendim me SHBA”, ka thënë Ymri.

Ndërsa, analisti Imer Mushkolaj ka bërë me dije se barrikadat e vendosura në veri të vendit mund të largohen vetëm KFOR-i.

“Barrikadat janë atje dhe mund të qëndrojnë me vite nëse nuk i heq KFOR-i, nuk është se a mundemi me i heq, por cila është kostoja e saj…Nuk po flas për forcën dhe legjitimitetin që e ka policia, ajo është çështje e KFOR-it, dhe nuk e di pse nuk ka ndodhë deri tash..”, ka thënë Mushkolaj.

Veriu i Kosovës ka një histori të gjatë me barrikada. Nga serbët lokal ato janë vendosur sa herë që ata kanë shprehur pakënaqësi me ndonjë veprim të institucioneve të Kosovës.

Për herët të parë ato ishin vendosur menjëherë pas shpalljes se pavarësisë së Kosovës. Asokohe një grup i organizuar i serbëve ua kishte vënë flakën objekteve të vendosura në dy pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjkë dhe kishin vendosur barrikada që lidhnin veriun me pjesën tjetër të territorit të Kosovës.

Barrikada në atë pjesë kishin vendosur edhe në vitet 2014 dhe 2016.

Ato janë rikthye edhe në Qeverinë Kurti. Serbët barrikada kishin vendosur edhe në shtator të vitit të kaluar dhe në korrik të këtij viti.

Barrikadat në veri janë rikthyer javën e kaluar. Pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq nga autoritetet e kosovare, i cili dyshohet se organizoi sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror Zgjedhor në veri, më 10 dhjetor, serbët lokalë përsëri kanë ngritur barrikada përmes disa kamionëve në rrugët që qojnë në pikat kufitare në veri. Edhe pas thirrjeve të shumta të ndërkombëtarëve për heqjen e tyre, serbët kanë refuzuar.

Të ngjashme