Lajme
Në Kiev, 80% e banorëve janë pa ujë – Mbetje të raketave ruse bien në Moldavi
Demokracia
17:53 | 31 Tetor 2022

Share:

Sulmet e reja raketore ruse të nisura këtë mëngjes, lanë 80% të përdoruesve në Kiev pa ujë dhe ndërprenë furnizimin me energji elektrike për 350 mijë shtëpi, njoftoi në kanalin Telegram kryetari i kryeqytetit të Kievit, Vitali Klitschko.

Ndërkohë, mbetjet e një rakete ruse, të rrëzuar nga sistemet e mbrojtjes ukrainase, kanë rënë mëngjesin e sotëm në territorin e Moldavisë, duke shkaktuar dëme, por nuk ka viktima.

Raketa u rrëzua pranë fshatit Naslavça, në veri të vendit, pranë kufirit me Ukrainën.

Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Brendshme e Moldavisë e cituar nga agjencia ruse e lajmeve “Ria Novosti”.

Një grup pune qeveritar është në vendngjarje dhe janë marrë të gjitha masat mbrojtëse pas incidentit, thuhet në deklaratë.

Ministria tha se pala ukrainase i informoi ata të hënën në mëngjes se kishte një sulm me dron në Hidrocentralin Dniester, i cili është në territorin e Ukrainës dhe në një distancë prej 10 kilometrash nga diga Naslavcea, duke synuar infrastrukturën energjetike.

Forcat ukrainase rrëzuan 44 nga më shumë se 50 raketat e lëshuara nga rusët në sulmin e parë këtë mëngjes në infrastrukturat kritike të vendit.

Ndërkohë, raketat ruse të lëshuara në Ukrainë në mëngjes, goditën edhe hidrocentralin e Zaporizhias përgjatë rrjedhës së lumit Dnjepër.

Në videot e publikuara në Twitter, shihet një kolonë e madhe tymi i zi që ngrihet nga diga ngjitur me termocentralin.

Në total, sipas autoriteteve të Kievit, të paktën 50 raketa lundrimi goditën vendin këtë mëngjes./Gazeta Si

Të ngjashme