Përkundër urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për ta pezulluar vendimin për shtrenjtimin e rrymës nga Zyra e Rregullatorit për Energji, qytetarët e Kosovës edhe këtë muaj janë faturuar me çmime të rritura.
Gjykata kishte marrë vendim për pezullimin e tarifave të larta më 9 prill të këtij viti, dy muaj pas hyrjes në fuqi të vendimit për shtrenjtimin e rrymës, shkruan Demokracia.com.
Ky proces kishte përfunduar në gjykatë pas padisë së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës, me arsyetimin se shtrenjtimi i rrymës i dëmton qytetarët.
Zyrtarë të ZRRE-së nuk kishin pranuar të komentojnë mbi kallëzimin penal të PDK-së.
Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, në Komisionin për Ekonomi e kishte quajtur vendim të drejtë shtrenjtimin e energjisë elektrike, pavarësisht masës së përkohshme që i kishte vendosur Gjykata Themelore në Prishtinë.
Ai gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, kishte thënë se tarifat e energjisë me çmim të shtrenjtuar do të jenë në fuqi deri kur të vendosë Gjykata e Apelit.
Lidhur më këtë, Demokracia.com e ka pyetur Gjykatën e Apelit nëse ka nisur ta trajtojë rastin e tarifave të energjisë elektrike dhe kur pritet që gjykata të vendos për këto tarifa.
Nga Gjykata e Apelit kanë konfirmuar për Demokracia.com se ende nuk ka arritur kjo lëndë.
“Lidhur me kërkesën e juaj, ju njoftoj se lënda nuk ka arritur me ankesë në Gjykatën e Apelit”, thuhet në përgjigjen e kësaj gjykate.
Procesi gjyqësor vazhdon ende, por deri në vendimin përfundimtar, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte thënë se faturat me rritje duhet të pezullohen.
ZRRE-ja është duke u thirrur në Ligjin për Konfliktet Administrative, ku neni 66 i këtij ligji thotë se “vendimet e gjykatës mund të ekzekutohen atëherë kur bëhen të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme”, që nënkupton se aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm, shkruan Demokracia.com.
ZRRE-ja në vazhdën e krizës globale energjetike ka miratuar faturat me rritje më 8 shkurt, të cilat ka thënë se do të jenë të vlefshme deri më 31 mars 2023, prandaj me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë.
Tarifa e lirë e energjisë elektrike në Kosovë vlen nga 1 tetori deri më 31 mars, nga ora 22:00 deri në orën 7 të mëngjesit.
Nga 1 prilli deri më 30 shtator, tarifa e lirë vlen nga ora 23:00 deri në 08:00 të mëngjesit.
Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë në muaj.
Për konsumatorët që shpenzojnë më pak, çmimi i rrymës nuk ka ndryshuar, pasi që ata vazhdojnë të paguajnë 7 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta dhe 3 centë gjatë tarifave të lira.
ZRRE kur kishte marrë vendim për shtrenjtim të rrymës, kishin thënë se ai është ndikuar nga rritja e çmimeve të energjisë në nivel botëror./Demokracia.com/