Lajme
Në fund të mandatit| Ministria e “padukshme” e Qeverisë Kurti shpenzon 20 mijë euro në bileta avioni
Demokracia
17:05 | 20 Janar 2025

Share:

Ministria e Zhvillimit Rajonal ka dhënë një tender në vlerë të 20 mijë e eurove për furnizim me bileta avioni. Me këto para do të blihen 50 bileta. Ky shpenzim i parasë bëhet në ditët e fundit të mandatit qeverisës të kësaj qeverie.

 

Për ministrin Fikrim Damka dëgjohet e flitet shumë rrallë. Ai mund të thuhet se nuk bën asnjë punë, për të cilën edhe mund të vërehet apo të bie në sy të qytetarëve.

Edhe për institucionin që ai drejton, Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, nuk flitet kurrë. Madje, kjo ministri mund të konsiderohet pa asnjë vlerë, shkruan Demokracia.com.

Por, përkundër që puna e saj nuk vërehet kurrë, kjo ministri ka vendosur që të bëjë një shpenzim në fund të mandatit,  jo për qytetarët, por për stafin e saj duke blerë bileta avioni.

Për këtë blerje janë shpenzuar afro 20 mijë euro.

Shërbime të transportit ajror – bileta. Data e dhënies së kontratës   17.01.2025. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 22.01.2025      Numri i tenderëve të pranuar: 2 . Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata”AS TRAVEL CLUB “.   Vlera e përgjithshme e kontratës 19,250.50 euro”.

Në dosjen e tenderit është treguar se me këto para do të blihen 50 bileta.

“Furnizim me 50 bileta të aeroplanit të destinacioneve të ndryshme për nevojat e Ministrisë së  Zhvillimit Rajonal. Vlera e biletës prej 385.00 euro është një vlerë që shërben vetëm për kalkulim të çmimit dhe çmimi total do të përdorët vetëm për nevojat e vlerësimit të tenderit dhe nuk përcakton çmimin real të kontratës pasi që çmimi do të krijohet përgjatë zbatimit të kontratës nga çmimet që do të procedohen nga sistemi kompjuterik i rezervimit  AMADEUS, GALILO, SABRE, apo sistem tjetër të barasvlershëm apo sisteme online. Kontrata do të bazohet në sasi”.

Ministria ka dhënë edhe disa sqarime se cili është qëllimi i blerjes së këtyre biletave.

“Qëllimi i këtij aktiviteti është që të lidhet një kontratë kornizë me një Operator ekonomik (OE) të kualifikuar i cili do të ofronte shërbimet e rezervimit dhe lëshimit të aviobiletave për udhëtimet zyrtare që do të autorizohen nga Ministria e Zhvillimit Rajonal. Gjatë periudhës 1 vjeçare numri i përafërt i biletave do të jetë 50 copë në destinacione të ndryshme të botës. Kontrata konsiderohet e realizuar ne bazë të sasive të biletave dhe jo vlerës”.

Tutje thuhet se kompania fituese duhet të jetë e gatshme çdo herë që të ofroj shërbimet e kërkuara.

“Ofruesi i shërbimeve duhet të jetë në gjendje të sigurojë shërbimet e lartpërmendura, duke përfshirë ofrimin e aviobiletave në çdo kohë 24/7 (që nënkupton edhe gjatë fundjavëve dhe festave). Ofruesi i shërbimeve duhet të jetë në gjendje për të garantuar shërbime 365 ditë në vit, 7 ditë në javë dhe 24 orë në ditë dhe duke ofruar emrat e personave të kontaktit, emailat dhe numrin e telefonit kjo do të jetë si kusht pas nënshkrimit të kontratës (kjo është një kërkesë e detyrueshme)”./Demokracia.com/.

Të ngjashme