Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama po merr pjesë në Forumin e Paqes në Paris, të thirrur nga presidenti francez Emmanuel Macron, ku ka thënë se Rusia në Ballkan ka ndikim potencial dhe mund të shkaktojë dëmet më të mëdha për shkak të ndasive historike, pasi kemi çështjen e paqes përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës.

Gjatë fjalës së tij, Rama kujtoi dhe njëherë periudhën e pandemisë duke kritikuar qëndrimin e mbajtur nga BE.

Rama tha ndihma nuk erdhi nga BE por nga Kina, Rusia dhe Turqia, ndaj kërkoi mobilizim më të plotë në të ardhmen.

“Në përpjekje për të kursyer kohë edhe për miqtë e tjerë të shquar këtu dua të kaloj në një temë tjetër që ka të bëjë me këtë temë. Por është e rëndësishme në këtë kohë kur ne reagojmë ndaj tragjedive të mëdha. Lidhet me idenë e komunitetit politik evropian që u rihodh në tryezë nga Macron por nuk është diçka tërësisht e re. Është një ide me rrënjë në Francë. Kjo është për të thënë se kjo është e vetmja mënyrë për të pasur paqe. Projekti nuk shkoi shumë mirë por vazhdoi të ripërsëriste veten si vizion. Më pas patëm Bashkimin Evropian e me radhë. Kur ideja u rihodh sërish për diskutim nga mikpritësi ynë shumë vende menduan se ishin për t’i shpëtuar thirrjes për të zgjeruar Bashkimin Europian. Sa më shumë kohë kalon provohet se kjo është një ide e shkëlqyer”.

“E pamë të shpalosej menjëherë pasi nisi lufta. Pasi përjetuam pandeminë që na dëshmoi që mungesa e kësaj ure lidhëse mund të krijojë distancë. Mund të shkaktojë tragjedi ndasish mes të pasurve dhe më të varfërve. E pamë BE të sillej si një federatë vendesh të pasura dhe egoiste që të përballur me frikën nga vdekja ikën prej përgjegjësive për të ndarë vaksina me të tjerët. Për një kohë të gjatë dëgjonim moton që duhet të punojmë me BE-në. Çfarë ndodhi. Pa Kinën, Rusinë dhe Turqinë nuk do i kishim mbijetuar valës së parë të pandemisë. Vaksinat nuk erdhën nga BE por nga këto vende. Kjo ka nisur dhe kam shumë shpresë se kjo do na çojë më tej dhe do ketë mënyrën e duhur për t’i artikuluar”, tha ai, transmeton KP.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Moska vazhdon të ketë ndikim potencial në Ballkan ndaj dhe ky i fundit duhet të jetë i bashkuar.

“Dua ta përmbyll duke thënë se ne gjendemi përballë një paradoksi të dhimbshëm sepse na duhet të përballemi me krizë ushqimore, terrorizëm, emigracion dhe lufta që nuk na lejojnë të përballemi me të parat. Gjetja e një ekuilibri mes të dyjave është e rëndësishme. Ballkani deri më tani ia ka dalë të qëndrojë larg luftës konvencionale duke qenë hallka më e brishtë e zinxhirit. Nëse flasim për komunitetin politik evropian e dimë shumë mirë që në Ballkan Rusi ka ndikim potencial dhe mund të shkaktojë dëmet më të mëdha për shkak të ndasive historike. Kemi çështjen e paqes përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës. Është e rëndësishme të shihet se Ballkani është i bashkuar. Vendet tona veprojnë njësoj në Kombet e Bashkuara. Pra dua të them se jemi në drejtimin e duhur. Nuk është e lehtë, është shumë e dhimbshme”, tha Rama.