Lajme
“Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë”| Indiferenca e Kurtit ndaj masave të BE-së
Demokracia
15:01 | 02 Korrik 2023

Share:

Pasojat ndaj Kosovës tashmë dolën në dritë, dhe s’kishin se si të jenë më të errëta. Për herë të parë Kosova u ndëshkua politikisht dhe ekonomikisht për kursin e saj – fillimisht të instalimit me forcë të tre kryetarëve shqiptarë me vota të pakta pa përfillur e dëgjuar asnjë kërkesë të aleatëve, partnerëve dhe operatorëve të sigurisë në veri, më pastaj për refuzimin e ngurtë për shtensionim të situatës sipas kërkesës mbarë-perëndimore – në veri të Kosovës.

Bashkimi Evropian më 28 qershor njoftoi Qeverinë e Kosovës për masat ndëshkuese që do të rëndojnë mbi vendin po qe se përfundimisht vendoset të mos zbatohet planin tre-pikësh të hartuar për shtensionim.

Jo që Qeveria s’dëgjoi ose s’tregoi gjë, por u bënë edhe hapa të mëtutjeshëm që në potencial dhe në atmosferën e krijuar, veçse i shtonin edhe brum më të madh tensionimit aktual. Kurti do të ishte indiferent ndaj të gjithë botës. Andaj BE tashmë do ta nxjerrte kartën e saj të ndëshkimit hiç indiferente. Fondet e saj, të pezulluara; marrëveshja e vetme kontraktuale midis Kosovës dhe BE – Marrëveshja për Stabilizim-Asocim, u pezullua; takime e vizita të larta biletarale (përveç atyre që kanë të bëjnë me dialog dhe shtensionim), të gjitha të pezulluara; fondet e IPA-s, të pezulluara. Kosova, do të lihej në vetminë e saj.

Por, Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, jo që s’do t’ia linin shenjë, por, përkundrazi, do të vendoste në pikëpyetje vetë vlerat e Bashkimit Evropian, duke e proklamuar kursin e tij, si në esencë ndjekje e vetë vlerave “më të mira” të BE-së. Kjo, si një ‘Jo’ e rivitalizuar ndaj kërkesave të tyre të ndjekura edhe me shkopin sanksionues.

“Janë për të ardhur keq”, tha Kurti gjatë një mbledhje qeveritare duke folur për masat ndëshkuese të BE-së. Kjo, ngase sipas tij, “po vinë si reagim ndaj mbrojtjes së palëkundur që ne po i bëjmë vlerave të vetë BE-së”. Ndonëse, për Kurtin supozohet të jetë e qartë se për asnjë shtet të BE-së nuk është vlerë instalimi me forcë i një kryetari me 100 vota dhe me mbrojtje të rreptë policore të ambientit komunal, acarimi i “demos”-it të asaj zone të cilët nuk ndjehen të përfaqësuar, për të është “demokraci dhe sundim i ligjit”. Kjo, përkthyeshëm, edhe si vlerësim ndaj asaj që i mbarë Komuniteti Trans-Atlantik po i kërkon të bëjë gjoja të kundërtën.

Por, Kurti, duke e shpërfillur seriozitetin e situatës, s’e ndjen nevojën për të ndërruar kurs. Madje, thotë se “si-do-që-të-jetë” Kosova mbetet “besnike e asaj që BE përfaqëson në më të mirën e saj”.

Kur u konfirmua se aplikimi i këtyre masave tashmë ka marrë hovin e saj të përnjëmend, Kurti do ta kishte një përgjigje: S’bëjmë kompromis me sundimin e ligjit.

Masa ndëshkuese, sipas tij, duhet bërë ndaj “Serbisë që është pro-Kremlinit”; kështu duke e vazhduar obsesionin e tij të marrurit me atë çka është në të vërtetë Serbia. Masa ndëshkuese apo jo, tha Kurti, “ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë”.

“Këto nuk janë sanksione por është e vërtetë që janë masa të përkohshme por të padrejta për shkak se Kosova dhe qeveria e saj janë edhe shteti edhe ekzekutivi më demokratik pro-evropian dhe progresist. Në anën tjetër kemi një përballje të vazhdueshme me forma të ndryshme të agresionit të Serbisë që është shtet autokratik dhe pro-Rusisë dhe i paballafaquar me të kaluarën kriminale në hapësirën e ish-Jugosllavisë ku i ka shkaktuar katër luftëra”.

“Sido që të jetë ne e bëjmë punën tonë, por le të mos harrojmë që nuk mundemi të bëjmë kompromis as me sundimin e ligjit as me kushtetutshmërinë e vendit tonë andaj ne do të vazhdojmë me zbatimin e programit tonë qeveritar dhe shpresojmë që këto masa të përkohshme do të jenë fort të shkurtra ashtu që edhe mbështetja edhe ndihma evropiane të jenë të plota për shkak se Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”, ka thënë ai.

Ditë më parë ishte gazeta liberale austriake “Profil” e cila ndante me lexuesit e saj disponimin perëndimor me Kurtin: “Ka rënë përtokë…flet si shirit i ngecur…janë thyer marrëdhëniet me të…po e izolon jo veç veten por edhe Kosovën”, etj., ishin vetëm disa prej fjalëve që në prapraskenat diplomatike thuhet për kryeministrin, shkruan Nacionale.

Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, do të shpërfaqet habinë më të madhe të tij me Kurtin. Jo që jam i habitur, thoshte Hovenier, por edhe i merakosur. “S’po arrij ta kuptoj pse…e kam të vështirë ta kuptoj”, thoshte Hovenier gjatë tërë kohës, derisa njoftonte për ndëshkimet që do të pasojnë nga ShBA nëse Kurti s’ndërron kurs.

Jo që s’ka përgjigje pozitive nga Kurti, tha ambasadori – “por as që duket që do të ketë”.

Të ngjashme