Lajme
Në Deçan edhe para tre javëve u adresua një helmim: Rezultatet treguan se uji është i pijshëm
Demokracia
19:03 | 13 Korrik 2021

Share:

Petrit Jonuzaj, ushtrues i detyrës së menaxherit në “Hidrodrini” në Deçan ka thënë se ka gjasa të vogla që banorët e këtij qyteti të jenë helmuar si pasojë e kontaminimit të ujit, derisa shton se një rast i ngjashëm është adresuar edhe para tri javëve.

Jonuzaj për Klan Kosova ka thënë se kjo kompani është përpjekur që të mos përzihet uji me ujërat e zeza, përcjell Demokracia.com.

Ani pse nuk përjashtoi mundësinë për kontaminim të ujit, ai thotë se janë gjasat minimale që banorët të jenë helmuar nga kjo.

“Komuna e Deçanit furnizohet me ujë prej rënies së lirë pasi bëhet kryesisht prej bjeshkëve që i kemi këtu. Bjeshkët e kanë burimet e veta të cilat janë të mbyllura dhe janë të punuara me standarde të ujësjellësit të cilat janë punuar prej shumë vitesh dhe menaxhohen nga Hidrodrini dhe shpërndarja e ujit tek qytetarët bëhet nga disa rezervuarë – të cilët janë të mbyllur dhe monitorohen nga ne”.

Jonuzaj zbuloi se edhe para tri javëve pati një adresim për një helmim të llojit të tij, por se janë bërë analizat për kualitetin e ujit, përcjell Demokracia.com.

“Para tri javëve kemi pasur adresim për një lloj helmimi të tillë sikur ky që po ndodh tani, por pas rezultateve për kualitetin e ujit është ardhë deri tek përfundimi që uji i pijshëm është në rregull dhe se i plotëson standardet për pije”, tha tutje ai.

Kujtojmë se mbi një mijë e 500 qytetarë kanë raportuar se janë helmuar përgjatë 72 orëve në komunën e Deçanit.

Ani pse ende nuk dihet se si ndodhi një gjë e tillë, dyshimet e para  thonë se banorët u helmuan nga uji./Demokracia.com/

Të ngjashme