Lajme
Kurti u pajtua me Vuçiqin për “kapërcimin e trashëgimisë së të kaluarës” në Bruksel, ndryshe flet në Kosovë
Demokracia
14:06 | 29 Janar 2024

Share:

Po bëhen gati një vit që kur kryeministri Albin Kurti bashkë me presidentin serb u dakorduan që “palët ta kapërcejnë trashëgiminë e së kaluarës”, që nënkupton të harrohet gjithë ajo që Serbia bëri në Kosovë.

Por, për konsum ditor, në Kosovë nuk flet për kapërcimin e trashëgimisë së të kaluarës, shkruan Demokracia.com.

“Përvjetorët na i përtërijnë plagët e luftës. Plagët e krimeve që nuk vjetrohen. Republika e Kosovës nuk i harron e as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia”. Kështu ka shkuar ai në një postim në Facebook, ku ka kujtuar masakrën e 27, 28 dhe 29 janarit të vitit 1999 në Rogovë të Hasit, Goden e Bishtazhin të Gjakovës.

Kurti ka përkujtuar edhe 21 ushtarët e UÇK-së dhe 9 civilët që ranë atje.

“Më 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999, forcat e armatosura serbe i vranë 30 shqiptarë në Rogovë të Hasit, Goden e Bishtazhin të Gjakovës. Në këtë 25 vjetor i përkujtojmë luftëtarët dhe civilët e rënë për liri, që me sakrificën e tyre e shtruan rrugën deri te ҫlirimi i Kosovës nga Serbia okupatore. Atëbotë ranë duke luftuar 21 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nëntë civilë shqiptarë.”

“Të monumentalizuar në historinë e re të Kosovës, një çerek shekulli më pas i kujtojmë me emrat e tyre të rënët në ato ditë janari: Agim Zeneli, Agron Rama, Agush Gjocaj, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çetaj, Gëzim Ademaj, Gaspër Karaqi, Hamdi Berisha, Haxhi Kleçka, Ilir Merturi, Kasim Shala, Luan Smajli, Memë Lleshi, Naim Dreshaj, Naim Gashi, Prend Lleshi, Sahit Krasniqi, Sejdi Rama, Valon Gashi, Vesel Avdyli, Rrustem Morina, Selman Morina, Muhamet Morina, Nusret Morina, Xhevdet Berisha, Ibrahim Kryeziu, Adem Shala, Zyber Shala dhe Rifat Shala. Lavdi dëshmorëve dhe martirëve! I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”.

Çka pranoi Kurti në Bruksel?

Propozimi Evropian për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin janë dakorduar plotësisht Kurti dhe Vuçiq, në mbrëmjen e 27 shkurtit të vitit 2023, përmban një detaj të rëndë për luftën e fundit në Kosovë.

Në preambulën e këtij Propozimi, të dyja palët janë pajtuar për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës.

“Palët e dakorduara… të përkushtuar për të kontribuuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe PËR TË KAPËRCYER TRASHËGIMINË E SË KALUARËS”.

Ky është një nga detajet e rrezikshme të Propozimit me të cilin është pajtuar plotësisht Kurti, ashtu siç ka shprehur pajtueshmëri edhe për të gjithë dokumentin.

Trashëgimia e së kaluarës është e mbushur me krime të Serbisë mbi shqiptarët e Kosovës, përgjegjësit e të cilave ende nuk kanë dalë para drejtësisë, me përjashtim të pak rasteve. /Demokracia.com/

Të ngjashme