Auto&Tech
Në 10 vjetët e ardhshme, mbi 1 milion amerikanë mund të mbesin pa punë – shkak zhvillimi teknologjik
Demokracia
23:42 | 09 Prill 2022

Share:

Automatizimi teknologjik do t’ua rrezikojë vendin e punës mbi 11 milionë njerëzve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë dekadës së ardhshme, ka bërë të ditur Instituti për kërkime “Forrester”.

Siç thuhet nga instituti, ky proces automatizimi nuk do të jetë plotësisht i dëmshëm ngase do t’u krijojë vende pune mbi 9 milionë personave që kanë njohuri në teknologji. “Hendeku në vendet e punës do të paraqesë sfida për politikëbërësit publikë. Kjo do të thotë që punonjësit kanë nevojë për rikualifikim shtesë në profesione të tjera, gjë që nuk është diçka që çdo punëtor mund ta arrijë vetë”, deklaroi zëvendëspresidenti i Forrester, J.P. Gownder.

Ai shtoi se politikat publike dallojnë nga vendi në vend, e ky automatizim do t’i shkojë përshtati Gjermanisë, që siç potencoi Gownder, në këtë shtet janë të lidhura ngushtë universitetet me punëdhënësit.

Jayant Narayan, menaxher i Aleancës Globale për Forumin Ekonomik Botëror, tha se humbja e vendeve të punës në SHBA për shkak të automatizimit do të krijojë sfida si për qeverinë ashtu edhe për sektorin privat.

Ndërkohë, është hedhur në diskutim edhe çështja e rikualifikimit të punëtorëve që nuk kanë përgatitje profesionale t’i kryejnë punët nëpërmjet teknologjisë së zhvilluar.

“Ka programe rikualifikimi, por shpesh nuk janë të mira dhe nuk i kualifikojnë njerëzit për vendet e reja të punës që po krijohen. Ne kemi nevojë për programe më të mira sepse do të krijohen vende të reja pune, por shumë nga njerëzit e zhvendosur nuk kanë aftësinë e nevojshme”, ka deklaruar Darrell West, zyrtar i një organizate për politika publike në Washington.

Forrester në përfundimet e nxjerra tha se universitetet mund të kontribuojnë në rikualifkim të punëtorëve duke krijuar kurse hibride që i ndërthurin shkencat humane dhe shkencën. /Telegrafi/

Të ngjashme