Lajme
Ndryshimi i Kurtit ndaj Blinkenit: Vitin e kaluar kërkonte t’i lexohej dy herë letra, tani i tha “shumë naiv”
Demokracia
17:47 | 08 Qershor 2023

Share:

Kritikat e SHBA-së ndaj Kosovës për tensionimin e situatës në veri nuk i kanë pëlqyer kryeministrit Albin Kurti dhe zyrtarëve të lartë të VV-së. Këta të fundit nuk i kanë kursyer as fyerjet për diplomatët e lartë të SHBA-së, duke përfshirë edhe Sekretarin Amerikan i Shtetit, Antony J. Blinken. Madje, kryeministrit Kurti kryediplomatin amerikan e cilësoi edhe si naiv.

Por, krejt vlerësim tjetër kishte Kurti për shefin e diplomacisë amerikane vitin e kaluar.

Shefi i qeverisë ishte ndarë tejet i kënaqur me përmbajtjen e letrës që diplomati amerikan ia kishte shkruar Kurtit në janar të vitit të kaluar.

Duke e prezantuar këtë letër në profilin e tij në “Facebook”, Kurti kishte vlerësuar se letra e Blinkeni duhet të rilexohej.

“Në anglisht dhe të përkthyer në shqip e keni letrën të cilën e mora dje nga Sekretari Amerikan i Shtetit, z. Antony J. Blinken. Është përmbajtësore, e mirë dhe që vlen të rilexohet”, kishte shkruar Kurti.

Në letrën e sekretarit amerikan vlerësoheshin raportet e mira në mes të dy vendeve.

“I nderuar z. Kryeministër, marrëdhënia ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është e rrënjosur në vlerat e përbashkëta demokratike dhe zotimin për Kosovë sovrane dhe të pavarur. Duke i strehuar me zemërgjerësi afgane që janë në pritje të rivendosjes, Kosova po tregon lidership në të cilin Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët mund të mbështeten. Zgjashëm zbarkimi i përbashkët i Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë e SHBA-së në Kuvajt vë në pah kapacitetin në rritje të Kosovës për të kontribuar në sigurinë globale”, është thënë ndër të tjera në letrën e Blinkenit.

Pas kritikave që kryediplomati amerikan ia ka bërë Kosovës për situatën në veri duket se ka ndryshuar edhe gjuha e kryeministrit Kurti.

Në reagimin e tij, Blinken kishte thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri është marrë kundër këshillës së SHBA-së.

Sipas kryeministri Kurti, qëndrimi i Blinkenit ishte naiv.

“Mendoj se, jo vetëm që është e padrejtë dhe e gabuar e edhe lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive”, kishte thënë Kurti në një intervistë për “The Guardian”.

Ky cilësim i Kurtit për sekretarin amerikan ishte kritikuar shumë në Kosovë.

Kritikat ndaj Eskobarit

Zyrtarët e VV-së kanë filluar sulmet edhe ndaj emisarit amerikan për Ballkanin perëndimor, Gabriel Escobar, i cili po i përsërit vazhdimisht kërkesat e SHBA-së për Kosovën.

Ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Elvis Hoxha, ka thënë se populli i Kosovës nuk i nënshtrohet një emisari.

“Kryeministrin e zgjedh një popull. Emisarin e emëron dikush. Një popull nuk i nënshtrohet një emisari”, ka shkruar Hoxha në profilin e tij në “Faceboook”.

Edhe më i ashpër ndaj diplomatit amerikan ka qenë profesori nga Kosova në Paris, Nezir Kraki.

Kraki ka thënë se as Escobar nuk është Amerika. Sipas Krakit, kërcënimet e Escobarit janë serbe.

“Kosova është per zgjedhje te reja ne veri dhe qasje e Albinit është më pro-amerikane ne afat te gjate sesa qasja e Escobarit i cili është ne kerkim te nje suksesi personal momental. Nuk është me koha kur rrezohen e emerohen qeveri demokratike ne zemer te Evropes. Nuk eshte Kosova Sudan as Libi. Vjen si kauboj i Teksasit duke abuzu me fuqine e Amerikes dhe me miqesine qe ne kemi me të”, ka shkruar ai.

 

Të ngjashme
Lajme • 23 Prill 2025