OpEd
Ndryshim i regjimit brenda Rusisë?| Ja cilat janë kushtet që do të sillnin rrëzimin e Putinit nga pushteti
Demokracia
16:36 | 01 Prill 2022

Share:

Nga Cameron Manley “World Crunch”

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nxituan të sqaronin menjëherë se fjalët e Xho Bajdenit në fakt nuk ishin ashtu siç mund të ishin kuptuar. “Për hir të Zotit! Ky njeri nuk mund të qëndrojë më në pushtet!”- tha Presidenti i SHBA-së për Vladimir Putin.

Jo, fjalia e thënë gjatë fjalimit të rëndësishëm që mbajti Bajden në Varshavë të shtunën, nuk ishte një thirrje për ndryshimin e regjimit në Rusi, por më tepër një mesazh se Putini “nuk mund të lejohet të ushtrojë pushtet duke pushtuar fqinjët e tij apo vendet e tjera të rajonit”.

Sigurisht, shumica e këtyre fqinjëve në rajon, së bashku me pjesën më të madhe të komunitetit ndërkombëtar, do të dëshironin shumë të shihnin dikë tjetër të merrte pushtetin në Moskë, duke

filluar që nga ukrainasit që po vuajnë prej më shumë se një muaji pushtimin e paprovokuar të Putinit.

Megjithatë, ekspertët bien në përgjithësi dakord se janë vetëm rusët, ata që do të kishin fuqinë për të larguar nga pushteti liderin e tyre autoritar. Ndryshimi i regjimit brenda një periudhe afatshkurtër konsiderohet ende si diçka e pamundur, pasi Putinin ushtron një kontroll 22-vjeçar mbi fuqinë administrative dhe ushtarake të Rusisë.

Megjithatë, dështimi i ushtrisë për të arritur një fitore të shpejtë në Ukrainë, dhe rritja e kundërshtimit popullor vendas ndaj pushtimit – si protestat në rrugë po ashtu edhe denoncimet nga shumë figura të njohura të biznesit, kulturore dhe intelektuale – mund ta ndryshojnë situatën për Putinin.

Rrethi i brendshëm ushtarak dhe ai i Kremlinit

Tek e fundit, çdo skenar i mundshëm për rrëzimin e Putinit, do të duhej të përfshinte aparatin ushtarak dhe atë të sigurisë shtetërore që do të kthehej kundër tij, dhe që ndoshta do të kishte nevojë për mbështetje nga të paktën një pjesë e rrethit të tij të brendshëm të Kremlinit.

“Ne kemi tendencën të mendojmë se rrethi i brendshëm i udhëheqësve autoritarë, përmban edhe ndonjë figurë që është e interesuar ta rrëzojë atë lider. Ne thjesht po i projektojmë shpresat tona në një situatë e cila për momentin është shumë e pamundur të ndodhë”- paralajmëroi profesori i historisë në Universitetin Vanderbilt, Tom Shvarc, në një intervistë dhënë së fundmi për revistën amerikane “Newsweek”.

Por Fiona Hill, ish-eksperte e lartë e qeverisë amerikane për Rusinë, tha se nëse ngërçi në Ukrainë thellohet “mund të fillojmë të shohim një reagim të ashpër nga ata njerëz që mendojnë se gjërat nuk shkuan ashtu siç ishin menduar në fillim”.

Një armik i përbashkët

Ndërkohë, gjithnjë e më shumë njerëz, përfshirë figura të shquara publike, po e ngrenë zërin dhe kërkojnë mbështetjen e të tjerëve për të nxitur fundin e regjimit autokratik të Vladimir Putinit. Në një video të postuar të mërkurën, tetë figura të shquara të opozitës – duke përfshirë ish-manjatin e naftës Mikail Kodorkovski, aleatin e Aleksei Navalnit, Ljubov Sobol dhe ish-mjeshtrin e shahut Gerri Kasparov – u bënë thirrje rusëve t’i rezistojnë propagandës së Kremlinit dhe të ngrihen kundër luftës në Ukrainë.

Megjithëse nuk është shembulli i parë i kundërshtimit ndaj Putinit dhe luftës nga rusët e famshëm, kjo video e re përfaqëson një unitet në rritje anti-Putin nga opozita politike ruse, e cila vetëm një vit më parë ishte e përçarë dhe me shumë grindje të brendshme.

Tani, është lënë mënjanë politika. Ata nuk po zihen më për vota, por për vetë demokracinë. “Ne të gjithë përfaqësojmë lëvizje të ndryshme politike. Por jemi bashkuar në një komitet kundër luftës, sepse besojmë se vendi ynë nuk ka nevojë për këtë luftë”- tha Kodorkovski.

Edhe pse Putini kishte shpresuar që ta shuante antagonizmin politik, duke dënuar me 9 vite të tjera burg kritikun e zhurmshëm Aleksei Navalni, besimi ndaj qeverisjes së Putinit mund të lëkundet. “Ne jemi të bashkuar, në mënyrë që zërat e rusëve që po i rezistojnë kësaj lufte të dëgjohen në të gjithë botën”- tha ish-deputeti rus Dimitri Gudkov.

Rreziqet e nacionalizmit të shfrenuar

Nëse kthehemi pas në kohë zbulojmë se situata aktuale buron nga një ideologji e rrënjosur thellë, e cila ka disa vite që po ndërtohet brenda mureve të Kremlinit. Në një artikull për gazetën opozitare “Novaya Gazeta”, Vladimir Pastukov, doktor i Shkencave Politike në Kolegjin Universitar të Londrës, përshkruan se si Kremlini zotërohet nga “feja e tij ruse”.

“Ideologjia e hiper-nacionalizmit rus, ishte në gjendje të bashkonte elitën e Kremlinit jo nga jashtë, por nga brenda, jo nga frika, por nga besimi. Unë besoj se një pjesë e konsiderueshme e rrethit të presidentit Putin është realisht e prekur nga ky virus, dhe kjo që po shohim nuk është një pretendim, as cinizëm, por një lloj ekstaze kolektive e anëtarëve të një rendi gjysmë fetar”- shkruan ndër të tjera ai.

Politika e perestrojkës në vitin 1991, u pa si pozitive nga rusët pro-perëndimorë, pasi më në fund solli hapjen e vendit pas izolimit të tij gjatë Bashkimit Sovjetik. E kombinuar me përpjekjet e Putinit për anëtarësimin në NATO, në Rusi kishte një lloj shpresë për rolin e Kremlinit në skenën globale.

Por edhe atëherë, kur Putinit iu tha nga Xhorxh Robertson, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në vitet 1999-2003, se vendet duhet të aplikojnë për t’iu bashkuar NATO-s, se ato nuk ftohen, Putin u përgjigj me krenari: “Epo, ne nuk do të respektojmë të njëjtat procedura me shumë vende që nuk kanë ndonjë peshë në arenën globale”. Putini zbuloi që atëherë tendencën e tij ndaj nacionalizmit të shfrenuar.

Shmangia e fatit të Koresë së Veriut

Pas refuzimit nga Perëndimi, dhe pas zgjerimit të perceptuar të tij drejt lindjes në zonën ruse të ndikimit, Putin e ka kthyer izolimin e vendit të tij në një qëndrim agresiv ndaj “de-nazifikimit dhe çmilitarizimit të Ukrainës”. Andrei Kolesnikov, shkroi në një artikull për New York Times, se “sa më shumë të izoluar nga bota që të ndihen rusët e zakonshëm, aq më shumë ata do të ndihen peng i “ishullit Rusi”.

Rusia po përballet tani me vetëvrasjen politike dhe ekonomike të regjimit të Putinit, duke e izoluar vendin në të njëjtin nivel me Korenë e Veriut apo Bashkimin Sovjetik. Disa analistë politikë dhe politikanë, sugjerojnë se po afron ndryshimi i regjimit në Moskë.

Por sesi mund të ndodhë kjo gjë, mbetet ende e paqartë. Por në një kohë që Putinizmi po bëhet gjithnjë e më agresiv, është e rëndësishme të kujtojmë se përtej njerëzve të këqij, ishin idetë e këqija të shpërndara gjerësisht, ato që e kanë sjellë Rusinë në gjendjen e saj aktuale. Nëse Rusia do të ndryshojë, asaj do t’i duhet më shumë sesa një opozitë e bashkuar. Ajo ka nevojë për një mënyrë të re të menduari.

Të ngjashme
OpEd • 30 Qershor 2024