Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca konsideron se ekipi menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të vazhdojë punën, me përbërjen që aktualisht ka.
Sipas tij, në këtë ekip duhet të përfshihen qytetarë të Kosovës që përfaqësojnë interesin e Kosovës e jo deputetë të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që përfaqësojnë interesat e Serbisë.
Këto komente kryeparlamentari Konjufca i bëri pas tryezës “Kuvendi i Privilegjuar” të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Konjufca po ashtu u shpreh se tash po pret t’i sheh hapat që do të ndërmarrë ekzekutivi kosovar karshi papërgjegjësisë të ekipit menaxhues.
“Një institucion i cili e konsideron vetën që është i Republikës së Kosovës duhet të veprojë sipas Kushtetutës, ligjeve tona dhe sipas interesit tonë shtetëror. Nëse një institucion nuk është i Kosovës, në kuptimin e sjelljes së tij, mban qëndrime që nuk janë të Kosovës, por janë të Serbisë unë nuk mendoj se është interes i Kosovës të vazhdojë më ai institucion… Nuk pres ndonjë gjë të mirë prej një kryesuese të këtij ekipi menaxhues, e cila është deputete e Aleksandër Vuçiq, dhe deputetja e Vuçiqit nuk mundet të shkruajë pjesë të rregullimit institucional të Kosovës. Kjo është A,B,C e interesit tonë shtetëror dhe publik. Qasja e qeverisë ka qenë që fillimisht një sjellje institucionale vërtet e përgjegjshme, që me kërkua një llogaridhënie, një përgjegjësi nga ekipi menaxhues. Kjo përgjegjësi nuk po ndodh, kjo llogaridhënie nuk po ndodh, tash do t’i shohim hapat tjerë të qeverisë që do të vijnë konform kësaj mospërgjegjësie të ekipit menaxherial”, tha ai.
Kryeparlamentari Konjufca u shpreh se problemi i ekipit menaxhues nuk është vetëm papërgjegjësia por që një deputete e Kuvendit të Serbisë nuk mund të jetë kryesuese e ekipit menaxhues.
Ai konsideron se kjo kryesuese nuk ka çka prezanton në emër të Kosovës dhe çdo gjë e shkruar nga ekipi menaxhues për draft-statutin e Asociacionit nuk duhet të pranohet.
Konjufca konsideron se ky ekip menaxhues duhet të përfaqësohet nga qytetarë të Kosovës.
“Ajo s’ka çka të prezantojë, unë mendoj se edhe nëse e shkruan mirë draftin për asociacionin nuk bënë me ia pranua sepse nuk është çështja çka ajo po shkruan por që ajo nuk ka të drejtën fare të shkruajë, sepse ajo është përfaqësuese në Serbi e presidentit të Serbisë e partisë së presidentit të Serbisë dhe kryeson ekipin menaxhues, ky është problem shumë i madh nuk mund ta tejkalojmë këtë problem në mënyrë kaq të thjeshtë… Ata duhet të jenë qytetarë ë Kosovës të cilët nuk e përfaqësojnë në asnjë mënyrë interesin e Serbisë… Ne asgjë nuk pranojmë që është në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe mundësitë e ekipit menaxhues me bë dëme, mendoj janë të vogla sepse shumë më lart se ekipi menaxhues dhe marrëveshjen që e kemi nënshkruar nga qeveritë e kaluara është Kushtetuta e Kosovës”, u shpreh Konjufca.
Lidhur me konstituimin e institucioneve komunale në katër komunat veriore pas zgjedhjeve të 23 prillit, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se institucionet e sigurisë duhet të kryejnë punën e vet për tu siguruar personat që janë bartës të përgjegjësive.
“Duhet të shikojmë se si po ecë, institucionet e sigurisë duhet ta kryejnë punën e tyre, organet e rendit duhet t’i kryejnë punët e veta. Ata e kanë për detyrë gjithçka që është në përputhje me ligjin dhe çdo proces që ka qenë kushtetues personat që janë bartës të përgjegjësive me ia sigurua me ia mundësua sigurinë e tyre fizike edhe pastaj sigurinë e tyre në punë që me krye punën e tyre me përgjegjësi punën e tyre të pacenueshëm në ushtrimin e detyrave edhe përgjegjësive të tyre që i kanë marr prej qytetarëve. Ndërkaq, sa qytetarë e qysh kjo është çështje tjetër, kjo nuk është problem i obligimeve shtetërore të cilat duhet të kryhen… Janë probleme të dimensionit politik që mendoj se do t’i zgjidhim në kohë”, theksoi ai.
E në takimin e radhës të nivelit të lartë negociator në Bruksel, i cili pritet të mbahet më 2 maj, pritet që temë diskutimi të jetë edhe draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Gjatë ditës së djeshme ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka publikuar vendimet përgjatë viteve në lidhje me përbërjen e Ekipit Menaxhues.
Përbërja aktuale e këtij ekipi është : Igor Kalamar, Dejan Radojkoviq, Jelena Beloviq dhe Danijela Vujiçiq. Kjo e fundit, siç kishte konfirmuar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, është kryesuesja e ekipit menaxhues, deputete në Kuvendin e Serbisë nga partia e Aleksandar Vuçiqit./Kp