Lajme
Ndryshe nga ekspertiza zvicerane, Haxhiu thotë se Dehari u vra
Demokracia
17:23 | 26 Shkurt 2024

Share:

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, është vrarë në qendrën e paraburgimit në Prizren në vitin 2016 edhe pse zyrtarisht u konstatua se ka bërë vetëvrasje.

“Astrit Dehari, një aktivist shembullor dhe një student i shkëlqyeshëm, u vra në burg, për shkak të bindjeve të tij, në përpjekje të mbrojtjes së Republikës, atë për të cilën shumë breza kishin vuajtur burgjeve dhe kishin paguar me jetën e tyre, jetësimin e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Haxhiu po ashtu ka theksuar se këtë të hënë Adem Demaçi dhe Astrit Dehari kanë ditëlindjet dhe se kanë qenë dhe mbeten “përherë inspirues për të gjithë ata që e duan lirinë, barazinë dhe jetën e popullit të vet, me dinjitet”.

“Adem Demaçi dhe Astrit Dehari kanë ditëlindjet sot. Veprimtarët vetëmohues kanë qenë dhe mbeten përherë inspirues për të gjithë ata që e duan lirinë, barazinë dhe jetën e popullit të vet, me dinjitet”, shtoi ajo.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar se Adem Demaçi është një nga figurat më të shquara të politikës shqiptare në shekullin 20, derisa Astrit Dehari është një ish-aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, që vdiq në burg pasi ishte arrestuar si një nga të dyshuarit për aksionin e hedhjes së një granate në objektin e Kuvendit të Kosovës.

Dehari ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i arrestuar bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizje, nën akuzat se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.

Ai vdiq në burg. Zyrtarisht u konstatua se ka bërë vetëvrasje, por Vetëvendosje ishte e bindur se dikush e ka vrarë atë.

Nga atëherë, provat janë dërguar edhe në institute jashtë vendit, por nuk është arritur të konstatohet se ka pasur persona të tjerë të përfshirë në vdekjen e Deharit.

Familja e tij, qysh nga vdekja, po vazhdojnë betejën për zbardhjen e rastit. Ata, njëjtë si Vetëvendosje, janë të bindur se dikush ua vrau djalin.

Të ngjashme