Lajme
Ndodh edhe kjo në Qeverinë e Kurtit | Ministrja e Jashtme del jashtë shtetit me të gjithë zëvendësit e saj
Demokracia
13:00 | 10 Prill 2022

Share:

Për tri ditë, Ministrinë e Punëve të Jashtme në Kosovë s’e ka udhëhequr askush. Kryediplomatja Donika Gërvalla dhe dy zëvendësit e saj, Liza Gashi e Kreshnik Ahmeti, kanë qëndruar në Greqi. Ndërsa, një prej institucioneve më të rëndësishme të vendit, ia kanë lënë në dorë U.D. Sekretarit të Përgjithshëm, Behar Ismës.

Edhe pse ftesa për Forumin Ekonomik të Delphit i shkoi vetëm ministres Donika Gërvalla, ajo vendosi që t’i marrë me vete edhe dy zëvendësit e saj, Liza Gashin e Kreshnik Ahmetin, përcjell Demokracia.com.

Në ftesën që e ka siguruar Demokracia.com shihet se vetëm Gërvalla ka qenë e ftuar në këtë forum.

Sidoqoftë, ajo ka vendosur ta lë ministrinë pa udhëheqës dhe punët e ministrisë së bashku me mysafirët në këtë dikaster, siç konfirmohet edhe përmes një postimi në rrjetin social Facebook, i ka pritur U.D. Sekretari i Përgjithshëm, Behar Isma.

Vetëm kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla kanë marrë pjesë në diskutime në panele të ndryshme të këtij forumi, derisa Gashi dhe Ahmeti kanë qenë të pranishëm në disa takime, raporton Demokracia.com.

Nuk dihet se cila ka qenë nevoja që të dy zëvendësit e Gërvallës të shkonin me të dhe të marrin pjesë në këto takime, por ndër të tjera, zëvendësministrat janë për ta zëvendësuar ministren kur ajo nuk është në Kosovë.

Ndërkohë, Gërvalla ka marrë pjesë në një panel diskutimi gjatë së shtunës, ditën e fundit të forumit, me homologët e saj nga Maqedonia e Veriut dhe Sllovakia. Ndërsa, kryeministri Kurti ka zhvilluar një diskutim vetëm me gazetaren e Politico-s, Nektaria Stamouli.

Forumi i Delphi ka nisur më 6 prill dhe ka zgjatur deri të dielën. Çështjet kryesore të forumit gjatë këtij viti kanë qenë siguria globale, ekonomia globale, urgjenca klimatike, e ardhmja e BE-së, ndryshimet teknologjike dhe transformimi ekonomik./Demokracia.com/

Të ngjashme