Lajme
Ndihma prej 50 euro i duket e madhe Osmanit: SBASHK-u ta shqyrtojë pakon e Kurtit
Demokracia
19:47 | 03 Shtator 2022

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe SBASHK-u që të shqyrtojnë pakon e re financiare të prezantuar sot nga kryeministri Albin Kurti.

Osmani në një konferencë për media ka thënë se kjo pako, ndihmon përtej rritjes në pagë, që po e kërkojnë këto sindikata.

“Ndihma është shumë më e madhe, se sa ajo shifra prej 50 (euro), që mund ta ketë parë dikush. Zgjidhja do të gjendet vetëm pasi të miratohet projektligji për paga, ky projektligj, adreson dinjitetshëm çështjen e pagave për mësimdhënësve”, ka thënë presidentja.

Ndërkaq, ajo tha se është informuar nga ministria e Arsimit se janë adresuar kërkesa “përtej” atyre të SBASHK-ut, derisa premtoi se do të angazhohet që projektligji të kalojë sa më shpejtë.

“Zgjidhja mund të arrihet me dialog, assesi me kushtëzime…Asnjë politizim, nuk duhet të lejohet mbi interesin e fëmijëve të Kosovës, asnjë e drejt ligjore, nuk është mbi arsimin e fëmijëve”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq, Kurti sot ka prezantuar pakon e re financiare prej 150 milionë euro, e cila sipas shefit të ekzekutivimit është dizajnuar për t’i ndihmuar qytetarët në krizën e inflacionit.

Në një konferencë për media, ai njoftoi se do t’u dalë në ndihmë disa kategorive shoqërore me nga 50 dhe 100 euro, dhe me subvencione për energjinë elektrike dhe sektorin privat.

Të ngjashme