Sport
Ndeshja Rumani – Kosovë dhe vendimi i CAS-it: Çfarë ndodhi më 15 nëntor 2024 dhe çfarë deklaruan Foda dhe delegati i ndeshjes?
Demokracia
20:33 | 29 Maj 2025

Share:

Më 15 nëntor 2024, ndeshja ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës në kuadër të Ligës së Kombeve u ndërpre në minutën e 90-të. Kjo pasi futbollistët tanë vendosën të lëshonin fushën pas thirrjeve diskriminuese dhe politike nga tifozët rumunë, si “Serbia, Serbia” dhe “Kosova është Serbi”.

Megjithëse pati përpjekje për të rifilluar ndeshjen, ajo nuk u zhvillua më dhe përfundoi pa u luajtur deri në fund.

Më 20 nëntor, UEFA vendosi që fitorja në tavolinë me rezultat 3-0 t’i takojë Rumanisë, duke vlerësuar se ndërprerja ndodhi për shkak të largimit të njëanshëm të lojtarëve të Kosovës nga fusha. Ky vendim u apelua nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), por edhe kjo gjykatë e la në fuqi rezultatin, duke theksuar se përgjegjësia për ndërprerjen i takon Kosovës.

Media rumune “Gazeta Sporturilor” (GSP) ka publikuar pjesë nga dokumenti 18-faqesh i CAS-it, i cili përmban dëshmi dhe deklarata nga zyrtarët e ndeshjes, përfaqësuesit e Kosovës dhe Rumanisë, si dhe vendimin përfundimtar të panelit gjykues.

Deklarata e delegatit të UEFA-s, Milovan Gjukanoviq

Në raportin e tij, delegati i UEFA-s, Milovan Gjukanoviq, shpjegon me detaje çfarë ndodhi në fushë dhe pas saj, me malazezin që theksoi se nuk kishte thirrje “Kosova është Serbi”.

“Kur gjyqtari akordoi një goditje dënimi për Rumaninë, tifozët rumunë filluan të brohorisnin ‘Serbia, Serbia’. Lojtarët e Kosovës vendosën të largoheshin nga fusha, duke protestuar kundër ‘sjelljes raciste të tifozëve vendas’, siç pretenduan ata pas ndeshjes. Gjyqtari u përpoq disa herë të fliste me kapitenin e Kosovës dhe t’i bindte lojtarët e Kosovës që të qëndronin në fushë dhe ta përfundonin ndeshjen. Ata refuzuan dhe shkuan në dhomën e zhveshjes”.

“Kërkova shpjegime në lidhje me vendimin e lojtarëve për ta lëshuar fushën e lojës. Trajneri i ekipit mysafir shpjegoi se lojtarët vendosën ta bënin këtë, sepse gjyqtari nuk zbatoi hapin e parë të procedurës për sjellje raciste nga tifozët. Shembulli i tij i sjelljes raciste ishte brohoritjet ‘Serbi, Serbi’ nga disa tifozë vendas”.

“Pas rreth 40 minutash, trajneri i ekipit mysafir më tha se grupe më të vogla tifozësh rumunë kishin brohoritur gjithashtu ‘Kosova është Serbi’. Personalisht, dëgjova tifozët rumunë që brohorisnin ‘Serbi, Serbi’, por jo ‘Kosova është Serbi’. Vazhdova me përpjekje për të bindur stafin e Kosovës, së bashku me zyrtarin e sigurisë, që të ktheheshin në fushë, duke u paraqitur atyre pasojat e mundshme të vendimit të tyre. Por nuk pati sukses”.

“Lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha në orën 23:43 sipas kohës lokale. I sugjerova gjyqtarit t’u jepte pak kohë për ta rishqyrtuar vendimin e tyre dhe të ktheheshin në fushë. Trajneri i Kosovës më premtoi se do të ktheheshin, por më kërkoi t’u jepja disa minuta kohë për të folur në dhomën e zhveshjes”.

“Ndërkohë, lojtarët rumunë qëndruan në fushë, duke pritur që lojtarët kosovarë të ktheheshin. Në një moment, rreth gjysmë ore pasi ata dolën nga fusha, trajneri i Kosovës më tha se lojtarët e tyre kishin rënë dakord të ktheheshin në fushë, por më pas morën disa incizime nga tribunat derisa ata ishin në dhomat e zhveshjes, ndoshta nga përfaqësues të mediave, në të cilat tifozët rumunë brohorisnin ‘Kosova është Serbi’. Pastaj vendosën të mos ktheheshin”.

“Dola në fushë për të parë nëse kishte thirrje të tilla, siç kishte kërkuar sekretari i përgjithshëm i ekipit të Kosovës, por kur shkova në fushë, nuk dëgjoheshin thirrje të tilla. Rreth orës 00:40, gjyqtari u takua me kapitenët dhe trajnerët e të dy ekipeve dhe u tha atyre se kishin 5 minuta kohë për t’u rikthyer në fushë, pas së cilave ose do të rifillonte ndeshjen, ose do t’i jepte fund ndeshjes. Pas tre minutash, lojtarët e Kosovës filluan të largoheshin nga dhomat e zhveshjes dhe stadiumi, dhe shkuan në autobusin e tyre për të braktisur ndeshjen. Gjyqtari dha vërshëllimën e fundit në orën 00:51.”

Deklarata e trajnerit të Kosovës, Franco Foda: 

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka dhënë deklaratën e tij para panelit të CAS-it, duke sqaruar qëndrimin e skuadrës.

“Kapiteni i Kosovës i kërkoi gjyqtarit tri herë, 10 minuta para përfundimit të ndeshjes, të ndërpriste ndeshjen për shkak të thirrjeve ‘Serbia, Serbia’. Ai i kërkoi gjyqtarit të fillonte procedurën (për të pezulluar ndeshjen), jo për thirrjet ‘Serbia, Serbia’, po edhe për thirrjet ‘Kosova është Serbi’ nga grupe më të vogla. Gjyqtari nuk ndërmori asnjë veprim”.

“Pas një diskutimi të gjatë me lojtarët, i binda ata që të vazhdonin lojën. Kur ata pranuan dhe ne ishim gati të ktheheshim, ata morën incizime të thirrjeve ‘Kosova është Serbi’, të shqiptuara ndërsa ishin në dhomën e zhveshjes. Në atë moment, u bë e qartë se ishte e pamundur të vazhdonim lojën, sepse vlerat thelbësore të UEFA-s, siç është respekti, nuk u respektuan. Për më tepër, ishte qartësisht sjellje raciste për herë të dytë në këtë stadium brenda një viti”.

“Për ne, vënia në dyshim e ekzistencës së vendit dhe kombësisë sonë është më shumë sesa sjellje raciste. Është diskriminim. Flamuri ynë u dogj dhe pas konferencës për media, një gazetar sulmoi një nga lojtarët tanë para të gjitha mediave”, deklaroi Foda.

Vendimi përfundimtar i CAS-it

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) vendosi, se Kosova la njëanshëm fushën, duke vendosur për rezultatin 3-0 në favor të rumunëve.

“Lojtarët e Kosovës morën vendim të njëanshëm për të lënë fushën, në mungesë të një udhëzimi të vlefshëm nga gjyqtari, dhe ishin përgjegjës për ndërprerjen e ndeshjes”, thuhet në vendim.

UEFA dënoi Federatën Rumune me 128 mijë euro për shkelje të rregullave dhe sjellje të pahijshme të tifozëve, përfshirë incidente të mëparshme. Ndërkohë, Federata e Futbollit e Kosovës u gjobit me 6.000 euro për braktisjen e ndeshjes

Të ngjashme