Superliga e Kosovës në futboll ka hyrë në një fazë tejet interesante, shkruan Demokracia.com
Skuadrat që luftojnë për titull por edhe ato për mbijetesë nuk guxojnë të gabojnë ndryshe iu rrezikohet maksimalisht objektivi që kanë.
Njëra nga skuadrat që po kalon formë shumë të mirë është Prishtina e cila në pesë ndeshjet e fundit ka pesë fitore. Ajo këtë mesjavë luan me Besën në stadiumin “Fadil Vokrri” ndërsa në fundjavë është mysafirë i Feronikelit në Drenas.
Megjithatë, ndeshja me Gjilanin e paraparë të zhvillohet me 20 mars ka gjasa reale të shtyhet kjo pasi stadiumi “Fadil Vokrri” do të bëhet gati për ndeshjet e Kosovës që i zhvillon në fund të muajit mars.
Kombëtarja e Kosovës do të grumbullohet me 21 mars, ndërsa tri ditë më vonë luan miqësore me Letoninë. Me 28 mars e ka ndeshjen me Suedinë në kuadër të kualifikimeve. Të dy këto ndeshje do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe sipas burimeve të Demokracia.com për ta mbajtur fushën në gjendje optimale, Komisioni i Garave i FFK-së ka gjasa ta shtyjë takimin Prishtina – Gjilani për një datë tjetër. Gjithsesi, kjo do të varet edhe nga moti që do të jetë. Në Federatën e Futbollit të Kosovës, thonë se tash për tash nuk ka asnjë vendim zyrtar për shtyrje të ndeshjes. /Demokracia.com