Sport
Ndeshja jetike e Kosovës ndaj Qipros, “Dardanët” bëjnë thirrje për mobilizim dhe bashkim
Demokracia
12:27 | 26 Shtator 2022

Share:

Të martën mbrëma, Kombëtarja e Kosovës në futboll e zhvillon ndeshjen vendimtare për fatin e saj në Ligën C kundër Qipros.

Stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të jetë arenë e përballjes që nis nga ora 20:45, shkruan Demokracia.com.

Grupi i tifozëve të Kombëtares, “Dardanët” kanë bërë thirrje për mobilizim dhe bashkim.

Ata u kanë bërë thirrje gjithë anëtarëve të tyre që të jenë të pranishëm në stadium, ngase në të kundërtën do të ketë pasoja, që nënkupton shqyrtimin e anëtarësisë.

POSTIMI I PLOTË:

Nesër kundër Qipros dëshirojmë ta ruajmë mbijetesën në Ligën C dhe vetë nderin tonë. Për t’i arritur këtë të dyja, kemi nevojë për ndihmën e çdo tifozi. Kemi nevojë që thirrjes për të ardhë në stadium dhe për ta përkrahur Kosovën, t’i përgjigjen të gjithë anëtarët e tifogrupit tonë – sepse në të kundërtën do të ketë pasoja, që nënkupton shqyrtim të anëtarësisë.

Secili që do të jetë në stadiumin “Fadil Vokrri” duhet të rreshtohet me zemër në përkrahje të Kombëtares së Kosovës për një ndeshje kaq jetike.

Bëjmë thirrje për mobilizim. Kërkojmë bashkim. Nuk duam përçarje!

Të gjithë i duam në stadium: -edhe ata që pajtohemi, por edhe ata që pajtohemi më pak. Kosova është e të gjithë ne. Njëherë e mirë t’i lëmë anash dasitë dhe t’i dalim zot vendin tonë.

Koha të mos i nënshtrohemi debateve virtuale, por t’i japim jehonë një atmosfere çfarë i ka hije popullit të Kosovës.

Anëtarët e Dardanëve luten të konsultohen dhe kontaktojnë përfaqësuesit e qyteteve respektive për t’u pajisur me bileta. Bëjmë thirrje për shkallë të ndërgjeshmërisë. Nuk do të tolerohet nga kryesia e Dardanëve asnjë abuzim me shpërndarjen e biletave.

Besa, besë./Demokracia.com/

Të ngjashme