Lajme
Ndërtimet në Prishtinë në 2023 | Mbi 7 milionë euro u siguruan prej lejeve ndërtimore për mbi 600 mijë metra katëror sipërfaqe
Demokracia
13:43 | 14 Nëntor 2023

Share:

Prishtina edhe më tej mbetet vendi më fitimprurës i të bërit biznes me ndërtimin e banesave. Por, bazuar në sipërfaqen e m2 të ndërtuar në këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar, shihet se ka një trend të rënies në ndërtimin e rrokaqiejve në kryeqytet, shkruan Demokracia.com.

Kryetari Përparim Rama është arkitekt me profesion. Kur ai e mori drejtimin e kryeqytetit para rreth dy viteve është menduar se ndërtimi në kryeqytet do të marrë një rrjedhë tjetër dhe që s’do të ketë më godina shumëkatëshe pa oborre të ndërtuara buzë asfaltit, që do të ketë më shumë hapësira të gjelbëra dhe hapësira relaksuese. Kjo nuk ka ndodhur. Ndërtimi është duke ndodhur mbi bazën e planeve rregullative që janë hartuar në qeverisjet e kaluara.

”Mbirja” e rrokaqiejve në lagjet periferike të Prishtinës ka vazhduar edhe sivjet, por me një trend pak më në rënie se vitin kaluar, por të dëshirueshme për investitorët akoma mbesin fshatrat afër qendrës në të cilat po investohet në lagje luksoze me shtëpi individuale.

Nga të dhënat që ka siguruar Demokracia.com shihet që nga 1 janari deri më 30 tetor, sipërfaqja totale ndërtimore në m² ka arritur në 604,239.16. Pagesa totale e lejeve të lëshuara për to është 7,017,552.83 euro. Në këtë periudhë kohore, komuna ka lëshuar 117 leje të ndërtimit. Nga to rreth 45 janë leje për objekte individuale. Rreth 50 janë leje të lëshuara për objektet banesore më afarizëm, si dhe disa lloje të të lejeve të tjera të lëshuara.

Të dëshiruara mbesin fshatrat turistike që janë në afërsi të kryeqytetit. Një leje ndërtimi e lëshuar figuron edhe për një lagje që është duke e ndërtuar kompania “Royal” që është duke e ndërtuar në Zllatar. Bëhet fjalë për 105 shtëpi individuale. Pastaj “Chelsea Point LLC” është duke ndërtuar dhjetë shtëpi individuale në Çagllavicë dhe po ashtu 8 shtëpi në Bërrnicë.

“BS Group shpk, A&O Construction shpk” janë duke ndërtuar 27 shtëpi individuale banimi në Çagllavicë.

“Maloku Group” shpk është duke kryer ndërtimin e 47 shtëpive individuale në Lagjen Sofali.

“Benita Corporation” është duke ndërtuar 11 shtëpi në Çagllavicë, etj.

Në vitin e kaluar, nga 1 janari deri më 27 dhjetor, komuna ka lëshuar 177 leje ndërtimore, me një sipërfaqe totale ndërtimore në 1,008,703.85 m2. Totali i të hyrave nga këto leje ka qenë 10,938,551.07 euro. Nga to afro 60 kanë qenë leje të lëshuara për objekte shumë banesore me afarizëm, shkruan Demokracia.com.

Komuna e Prishtinës vazhdon të qëndrojë keq më lëshimin e çertifikatave të përdorimit të banesave, fletave poseduese, ngase ato po lëshohen ngadalë në një numër shumë të vogël, duke ua pamundësuar qytetarët që t’i regjistrojnë pronat e tyre në kadastër. /Demokracia.com/

Të ngjashme