Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se është njoftuar presidentja, Vjosa Osmani, për hapa të mëtejmë pas ndërprerjes së seancës konstituive të së martës.
Pas afër dy orë punime, seanca konstituive për legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës është ndërprerë, meqë deputetët s’arritën të kalonin pikën e parë të rendit të ditës, atë të miratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.
Lidhur me punimet e kësaj seance, Kuvendi ka dalë me një njoftim. Në njoftim thuhet se seanca u ndërpre meqë raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve dhe se në këto rrethana dhe pas një konsulte me përfaqësues të partive, është vendosur që seanca të ndërprehet e të njoftohet Presidentja për hapat e mëtejmë.
“Kështu, për raportin votuan 52 deputetë, 46 votuan kundër, ndërsa 11 abstenuan”, thuhet në njoftim.
Aty theksohet se në seancë ishin të pranishëm edhe ambasadorë e përfaqësues të tjerë të misioneve diplomatike në vendin tonë.
Seanca nisi punimet nën drejtimin e deputetit më të vjetër të legjislaturës, Avni Dehari nga VV, i ndihmuar nga deputetja më e re, Sala Jashari e PDK-së.
PDK-ja dhe LDK-ja nuk e kanë pranuar dorëheqjen e dorëzuar nga Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë. Kurti i ka akuzuar këto parti për “sulm brendainstitucional”.
Në seancën konstituive duhej që deputetët, pas miratimit të raportit, të bënin betimin dhe të zgjidhinin kryetarin dhe nënkryetarët.
Njoftimi i plotë:
Nga punimet e seancës konstituive
Konform vendimit të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblodh sot në seancë për konstituimin e Legjislaturës së Nëntë.
Seanca nisi punimet nën drejtimin e deputetit më të vjetër të legjislaturës, Avni Dehari (VV), i ndihmuar nga deputetja më e re, Sala Jashari (PDK).
Në seancë ishin të pranishëm edhe ambasadorë e përfaqësues të tjerë të misioneve diplomatike në vendin tonë.
Kryesuesi i seancës, Dehari, fillimisht uroi deputetët për mundësinë e përfaqësimit të qytetarëve gjatë këtij mandati, si dhe përshëndeti ambasadorët dhe mysafirët e tjerë të pranishëm, duke proceduar më pas me rendin e ditës.
Në vijim u paraqitën propozimet për formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Partitë politike propozuan nga një anëtar të këtij komisioni, i cili mori mbështetjen e Kuvendit.
Pas mbledhjes së Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, raportin e të këtij komisioni e paraqiti deputeti Artan Abrashi, sipas të cilit ky raport në komision ka kaluar me shumicë votash.
Pas prezantimit të raportit, kryesuesi Dehari e hodhi në votim atë. Raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve për miratim. Kështu, për raportin votuan 52 deputetë, 46 votuan kundër, ndërsa 11 abstenuan.
Në këto rrethana dhe pas një konsulte me përfaqësues të subjekteve politike, kryesuesi Dehari njoftoi për ndërprerjen e seancës, me qëllim që të njoftohet Presidentja për hapat e mëtejmë.