Lajme
“Ndërmjetësuesit na kërkuan…” | Kur i konvenonte mungesa e transparencës, Kurti thirrej në konfidencialitetin e dialogut që tani e shkeli
Demokracia
13:43 | 19 Shtator 2023

Share:

Një ditë pasi Albin Kurti hodhi akuza të rënda ndaj ndërmjetësit të BE-së, Miroslav Lajçak, se ai ka marrë anën e Serbisë në dialog, ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.

Ndër të tjera, në reagimin e BE-së përmendet edhe parimi i konfidencialitetit në dialog, shkruan Demokracia.com.

“BE-ja u kujton palëve përgjegjësinë e tyre për të respektuar parimin e konfidencialitetit në dialog, i cili është një komponent kyç i çdo procesi negociator të ndjeshëm politik”, thuhet në reagimin e BE-së.

Dje, kryeministri Kurti në një konferencë për media nxori gjithçka që u zhvillua në tavolinën e dialogut, duke e thyer kështu parimin e konfidencialitetit.

Por, kohë më parë, kur atij i nevojitej të mbante të fshehur se çka bisedonte me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesit evropianë, ai fshihej pas parimit të konfidencialitetit, shkruan Demokracia.com.

Në një deklaratë pas Samitit të Berlinit, ku Kurti mori pjesë së bashku me pesë udhëheqësit e tjerë të Ballkanit Perëndimor, ai u bishtnonte pyetjeve të gazetarëve duke u arsyetuar me konfidencialitetin e procesit.

Pas këtij samiti, ai kishte dhënë një prononcim për media ku kishte treguar se ndërmjetësuesit kishin kërkuar që të ruhej konfidencialiteti sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.

Kurti kishte thënë se Procesi i Berlinit po fuqizohej me kancelarin gjerman Olaf Shcolz. /Demokracia.com/

Të ngjashme