Lajme
“Ndërmjetësit s’mund të na detyrojnë ta njohim Kosovën, prandaj sulmohen nga Prishtina”
Demokracia
10:36 | 30 Korrik 2023

Share:

“Serbia e ka bërë të qartë…që kurrë nuk do të ndodhë që ta njohim Kosovën”, ka thënë Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, duke folur në televizionin krykëput propagandistik “Pink” ku foli për ngjarjet e fundit të tensionuara në pjesën veriore të Kosovës. Madje edhe tërë “sulmet e Prishtinës ndaj ndërmjetësve ndërkombëtar”, siç i quan ai, Daçiq beson se burojnë pikërishst nga “dështimi i tyre që ta detyrojnë Serbinë ta njohë Kosovën”.

Kryediplomati serb për tensionet në pjesën veriore të vendit kritikoi edhe Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili kohëve të fundit tha se zgjedhjet në veri “ishin minë tokësore…mbi të cilën fatkeqësisht shkelëm”. Daçiq thotë se “këtë gjë ua kemi thënë tërë kohën”.

“Ju e dëgjuat Lajçakun i cili tha se zgjedhjet ishin minë tokësore. Çfarë u thonim ne atyre tërë kohën? Tani po ju kujtohet që ishin minë tokësore”, ka thënë Ivica Daçiq, teksa shtoi se “secila lëvizje” e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “është minë tokësore”.

Duke folur për blerjen e fundit të dronëve Bayraktar nga Turqia, Daçiq tha se Serbia “në asnjë mënyrë nuk e interpreton këtë në kuptim pozitiv” teksa kritikoi edhe presidentin turk Recep Tayip Erdogan. Ai tha se Turqia gjithmonë simpatitë i ka “te Kosova, por edhe te boshnjakët”.

Veç kësaj, Daçiq i bje borisë tashmë të tej-etabluar të propagandës se “Kurti dëshiron të nis luftë” dhe se “do të nis luftë…nëse komuniteti ndërkombëtar nuk ia zë rrugën”. Ai madje shkon aq larg sa ta quajë Kurtin edhe “jo vetëm problem për Prishtinë dhe Beogradin, por edhe mbarë komunitetin ndërkombëtar”.

“Kurti veç në këtë është i interesuar. Nuk është i interesuar në jetë paqësorë, ose ripajtim, as bashkëpunim ekonomik, rrugë, tregti ose zhvillim infrastrukturor. Është i interesuar vetëm e vetëm në atë se si do ta zbatojë politikën ekstremiste të tij”, ka thënë ministri serb i jashtëm.

Të ngjashme