Lajme
“Ndërmarrje e përbashkët kriminale”, “Biznese kriminale” – disa nga sulmet e pushtetit ndaj medias në Kosovë
Demokracia
17:16 | 03 Maj 2022

Share:

Sot shënohet 3 Maji, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit.

Kjo ditë e gjen Kosovën në një mostransparencë totale nga ana e institucioneve të saj.

Gjatë këtij viti, gazetarët kosovarë kanë qenë cak i sulmeve nga ana e pushtetarëve, shkruan Demokracia.com.

Shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, ministri Xhelal Sveçla dhe i ngarkuari me punë të ambasadorit në Maqedoninë e Veriut, Prindon Sadriu, njëherësh bashkëshort i presidentes Vjosa Osmani, kanë qenë ‘bajraktarët’ e sulmeve të rënda ndaj mediave dhe gazetarëve në Kosovë.

“Ndërmarrje e përbashkët kriminale”, “Budallallëqe” e “biznese kriminale”, janë vetëm disa nga epitetet që iu dhanë medias nga përfaqësues të pushtetit.

Gjuhë të rëndë e linçuese ndaj mediave përdori shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi.

Dalipi nëpërmjet një shkrimi në Facebook, kishte sulmuar në mënyrë të paprecedent mediat në Kosovë, duke i lidhur ato me “biznese kriminale”.

Dalipi, po ashtu, në mars të këtij viti u bëri thirrje qytetarëve që t’i bojkotojnë mediat.

Shefi i stafit të Kurtit që dje iu vërsul mediave, ka veturë 50 mijë euro e pasuri gati milionëshe

Një sjellje të ultë ndaj gazetarëve pati gjatë kësaj kohe edhe ministri Xhelal Sveçla.

Ai në një konferencë për media kur u pyet për punësimin e motrës së tij, i tha gazetares që ia bëri pyetjen që të mos ‘flas budallallëqe”.

I ashpër fort me mediat ishte edhe Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu.

Ai kishte përdorur gjuhë denigruese ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë, duke i quajtur ato “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”.

“Kur përfaqësuesit e ndërmarrjeve të përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhatta”, kishte shkruar  ai.

SKANDALOZE: Prindon Sadriu i quan mediat ‘Ndërmarrje të Përbashkëta kriminale’

Por, Sadriu kur e kishte kuptuar sa kishte “sharruar”, e kishte fshirë postimin.

Edhe më shqetësuese e bëri këtë mbështetja e gruas së tij, presidentes Vjosa Osmani.

Gjuhë linçuese ndaj gazetarëve në vazhdimësi ka përdorur edhe grupi në Facebook “Me Kryeministrin”.

Ky grup, i cili është hapur dhe funksionon në shërbim të partisë në pushtet dhe kryeministrit Albin Kurti, vazhdimisht ka sulmuar gazetarë të mediave të ndryshme të Kosovës. Edhe pas rihapjes, grupi ka sulmuar një pjesë të medias, duke i quajtur ato të Klanit Pronto.

Edhe zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosjes, njëherit ish-kandidatit i kësaj partie për deputet, Hysamedin Feraj, kishte sulmuar një grup të gazetarëve. Në një postim në Facebook, Feraj i kishte akuzuar disa gazetarë kosovarë se “punojnë falas për Serbinë”. “Nuk është e drejtë që Grenelli të paguhet dhe grenellistët, jo (?) Apo Kosova i ka borxh Serbisë dhe këta ia shlyejnë duke punuar falas për të!”, kishte shkruar Feraj.

Por, pa akuza ndaj mediave nuk kanë mbetur edhe nga Presidenca.

Këshilltari i Presidentes së Kosovës, Blerim Vela, kishte përdorur gjuhë linçuese ndaj mediave. Vela disa herë kishte përdorur gjuhë denigruese, duke i etiketuar mediat si “të ish-regjimit Pronto”.

AGK kishte konsideruar se kjo gjuhë është linçuese dhe që shërben për përhapjen e urrejtjes dhe sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë.

Gjithashtu, dega e partisë politike Lëvizja Vetëvendosje në Mitrovicë, kishte linçuar gazetarë dhe media të caktuara, duke nisur nga portali lokal “Jepi Zë”. Akuzat e partisë në pushtet se ky portal është në shërbim të një partie tjetër politike janë të papranueshme. Thirrja për bojkot ndaj portalit lokal dhe gjuha e përdorur ndaj disa gazetarëve ishte linçim që cenon seriozisht sigurinë e tyre.

E një rast i paprecedent kishte ndodhur kur drejtor i Gazetës Insajderi, pasi Parim Olluri ishte intervistuar nga Policia e Kosovës, pas disa publikimeve që mediumi i publikoi rreth sigurimit të vaksinave kundër COVID.

Raste tjera të evidentuara nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), edhe të natyrave të tjera gjithsej janë 29 për vitin 2021.

Edhe në raportin për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2021, Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka evidentuar kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet për dhunë gazetarëve.

Raporti i DASH thekson se gazetarët në Kosovë u kërcënuan për publikimin e artikujve që kritikonin punën e Qeverisë, partive politike apo zyrtarëve të veçantë.

Raporti po ashtu thekson se ka pasur raportime në disa raste që pronarët e mediave kërcënuan se do t’i pushonin nga puna gazetarët nëse ata prodhojnë artikuj ku kritikohet puna e Qeverisë. Gazetarët u ankuan gjithashtu se pronarët e mediave i penguan ata të raportonin për korrupsionin në nivelet e larta të Qeverisë, thekson tutje raporti.

Raporti i DASH po ashtu evidenton se gazetarët në Kosovë hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga Qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga ligjet që ofrojnë qasje në dokumente publike.

E Qeveria e Kosovës thotë se i është gëzuar renditjes së Kosovës në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit.

Në një komunikatë për media, thuhet se kjo është renditja më e lartë e Kosovës ndonjëherë në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit.

Qeveria e konsideron sukses të përbashkët përparimin e lirisë së mediave në Kosovë.

“Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit për vitin 2022, i publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij, e rendit Kosovën në vendin e 61-të. Kjo është renditja më e lartë e Kosovës ndonjëherë në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit dhe vjen si rezultat i përmirësimit për 17 vende. Qeveria jonë i gëzohet përparimit të lirisë së mediave dhe e konsideron sukses të përbashkët. Do të vazhdojmë të angazhohemi me përkushtim që mediave dhe punëtorëve medialë t’ju krijojmë ambient sa më të sigurtë dhe të përshtatshëm, në mënyrë që ata të ushtrojnë të lirë dhe të papenguar profesionin e tyre.

Mediat e pavarura, të lira, objektive dhe profesionale janë aleatët tanë në përpjekjet për zhvillimin e shoqërisë së lirë e demokratike dhe ruajtjen e saj. Këtë vit, falë vullnetit të shumicës parlamentare në Kuvend, për herë të parë, punonjësit medialë janë përfshirë si kategori përfituese për ndihmë juridike falas”, thuhet në komunikatë./ Demokracia.com/

Të ngjashme