Intervista
Ndërkombëtarët paralajmëruan pasoja nëse shmanget, Kurti vazhdon ta quajë vetë-menaxhim “Zajednicën”
Demokracia
11:45 | 28 Mars 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon ta zbusë terminologjinë e tij në postin e të parit të ekzekutivit karshi çështjes së “Zajednicës”. Ai po i thotë “vetë-menaxhim”.

Kështu iu është referuar edhe sot në një intervistë për ‘Top Channel’, në ditën kur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaroi për mediat serbe se në rast të mos-zbatimit të “Zajednicës” do të ketë “pasoja të pafavorshme”, raporton Demokracia.com.

“Askund nuk ka kurrfarë autonomie për serbët lokalë në Kosovë. Ata janë qytetarë të Republikës sonë. Unë jam kryeministër edhe i atyre. Në nenin 7 flitet për vetë-menaxhim të komunitetit serb, për një nivel adekuat të vetë-menaxhimit. Kjo do të thotë që kemi referencë veçse tek marrëveshja kornizë e Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Nuk ka vetë-administrim, nuk ka vetë-qeversje, ka veçse njohje ‘de facto’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi i pari i ekzekutivit.

“Nuk mund të kemi super-minoritet në Kosovë, nuk mund të kemi njerëz të privilegjuar në bazë të përkatësisë etnike, sepse privilegji për dikë bëhet diskriminim për ndokë tjetër. Andaj, unë ju garantoj që nuk do të ketë kurrfarë solucionesh jo-transparente e që e minojnë kushtetutshmërinë tonë dhe rendin republikan e demokratik”, vijoi më tej Kurti.

I pari i Qeverisë tha se arsyeja e vizitës së tij në Tiranë ishte raportimi i krerëve shtetërorë atje mbi çështjen e Marrëveshjes së Ohrit.

Zëdhënësi i BE-së paralajmëroi pasoja në rast të mos-zbatimit të të gjitha pikave të dala nga Marrëveshja e Ohrit, përfshirë edhe “Zajednica”.

“Dhe të dyja palët e dinë që do të ketë pasoja të pafavorshme nëse kjo nuk bëhet, sepse është pjesë e marrëveshjes, si dhe pasoja shumë të pafavorshme nëse marrëveshja nuk zbatohet”, deklaroi ai.

“Tashmë do të jetë në rrezik reputacioni dhe besimi ndërkombëtar në Kosovë dhe Serbi, ndaj duhet të tregohen partnerë të besueshëm për BE-në dhe prandaj është e nevojshme të zbatohet ajo që kanë premtuar”, vijoi Stano. /Demokracia.com/

Të ngjashme