Lajme
“Ndaleni marrëzinë”: Pse dhe si heshti Vetëvendosje ndaj kritikave të Clintonit?
Demokracia
20:39 | 04 Korrik 2023

Share:

Më ne fund u kuptua, ka një politikan që Lëvizja Vetëvendosje “ia ka frikën” popullaritetit të tij në Kosovë dhe se sillet ndaj tij me kujdes. I tillë duket se është Bill Clinton, presidenti i 42-të i ShBA-së, i cili dje ka qëndruar në Tiranë të Shqipërisë, ku ka mbajtur një fjalim të mbushur me kritika ndaj Qeverisë së Kosovës.

Nga kryeyqteti shqiptar, Clinton komentoi situatën e tensionuar në veri të Kosovës, duke theksuar se ngjarjet në katër komunat veriore “do të donte të mos kishin ndodhur kurrë”. “Ndaleni marrëzinë” – ishte mesazhi i qartë i ish-presidentit amerikan për kryeministrin Kurti. Edhe pse këto kritika Clinton i bëri nga “oborri” i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, “pushteti” kosovar qëndroi i heshtur. Pse ka ndodhur kjo?

Teksa ish-presidenti amerikan Bill Clinton po fliste për ndasitë dhe muret mes njerëzve, ai u ndal edhe në situatën e tensionuar dhe krizën në veri te Kosovës.

“Ka një mosmarrëveshje që po ndodh në Kosovë që do të doja të mos kishte ndodhur kurrë. Nuk është më në dorën time, por të kosovarëve. Mendoj se autoritetet kanë bërë një gabim me zgjedhjen e katër kryetarëve të rinj. Duhet të përfitojnë nga momenti për ta ndalur këtë marrëzi. Çfarë çështje e madhe politike mund të avancohet duke pasur tension? Ata njerëz në ato komuna kanë nevojë për një qeverisje të denjë dhe qytetarët duhet të votojnë”, tha ish-presidenti amerikan.

Heshtja është flori
Në lidhje me vizitën dhe kritikat e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton në Tiranë, duke njohur popullaritetin e lartë që ai vazhdon ta gëzojë në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje dhe “tentakulet” e saj kanë vendosur t’i përgjigjen me parimin “heshtja është flori”.

Me konretisht, për vizitën dhe fjalimin kritik ndaj Qeverisë së Kosovës nga ish-presidenti amerikan që autorizoi bombardimet e NATO-së kundër ish-Jugosllavisë, forcat e cilës po kryenin spastrim etnik të shqiptarëve, nuk pati ndonjë koment nga deputetët më të zëshëm të partisë në pushtet, Lëvizjës Vetëvendosje.

E, për befasinë e të gjithëve, kritikat e Clintonit nuk i kanë komentuar as “Grupi të Tiranës” i përbërë nga Elvis Hoxha, Hysamedin Feraj dhe Arbër Zaimi.

Të heshtur, poashtu, kanë qëndruar edhe analistët pro-qeveritar, si Rron Gjinovci, Shkëlzen Gashi dhe Sadri Ramabaja. Por, ndryshe nga këta tre emra, ka vepruar analisti pro-qeveritar, Krenar Shala.

Shala përmes një postimi në Facebook, ka thënë vetëm se fjalimi i ish-presidentit amerikan është përkthyer gabimisht.

Vlenë të theksohet se ai nuk e ka kritikuar apo ofenduar në ndonjë formë ish-presidentin.

“Përkthyesja qëllimisht apo gabimisht e ka përkthy dje fjalimin e ish presidentit Bill Clinton në Tiranë. Ai thotë: ‘Kosovarët i kanë krijuar ato katër qytete në të të mirë të serbëve për tu dhënë 4 kryetar më tepër. Kshtu që mendoj që ata kanë bërë gabim që nuk kanë votuar.” E jo qysh po e përkthen përkthyesja qëllimisht apo gabimisht”, ka shkruar Shala.

Mungesa e kritkave dhe linçimit të presidentit amerikan, si duket erdhi si pasojë e rëndësisë që ka Clinton për shqiptarët e Kosovës. Kështu, se paku mendon Jetlir Zyberaj, ish-këshilltari i Behgjet Pacollit, ish – president i Kosovës.

“Vetëvendosje e kupton efektin Bill Clintonit në Kosovë. Vizita e tij e djeshme në Tiranë dhe mesazhet për marrëzinë politike (të Kurtit) e kanë futur në panik sot LVV dhe Kurtin me sulme ndaj opozitës dhe të gjithë atyrë që nuk mendojnë si ata”, ka shkruar Zyberaj.

“Këmbana e fundit”
Por, të alarmuar nga fjalimi i amerikanit që dikur shpëtoi kosovarët nga gjenocidi ishin nga opozita.

Nënkryetarja e PDK-së dhe njëherit ish-ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj fjalimit të ish-presidentit amerikan, Bill Clinton.

Me anë të një shkrimi në Facebook, Çitaku ka thënë se fjalimi i Clintonit është këmbana e fundit për Kosovën.

Tutje, ajo ka theksuar se presidenti i 42-të i ShBA-ve ishte mbeshtetësi më i madh i vendit tonë.

“Është momenti i fundit që ta ndalim trenin e marrëzisë. Mesazhet e Presidentit Clinton në Tiranë duhet marrë seriozisht. Këmbana e fundit për ne. E Kosova nuk ka pasur kurrë mbështetës më të madh se Presidenti Clinton”, ka shkruar Çitaku./nacionale/

Të ngjashme