Lajme
​Nagavci paralajmëron mësimdhënësit: Ata që nuk zëvendësojnë orët nuk do të kompensohen
Demokracia
17:37 | 14 Tetor 2022

Share:

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se mos kompensimi i orëve të humbura për shkak të grevës është vepër penale. Ajo është shprehur e bindur se kompensimi i orëve do të fillojë nesër, ndërsa ka theksuar se inspektorët e arsimit do të jenë në teren dhe nëse nuk mbahet mësimi nuk do të ketë kompensim të pagës.

Nagavci e ka kundërshtuar propozimin e komunave për të kompensuar orët në fund të ditës mësimore, derisa ka shtuar se mbajtja e mësimit të shtunën është vendimi i duhur.

“MASHTI në bazë të kompetencave edhe përgjegjësive që ka, ka nxjerr edhe kalendarin për vitin e ri shkollor. Të gjithë e dimë që kanë humbur 22 ditë mësimit apo 12% e mësimit për fëmijët është një humbje e madhe që duhet patjetër të kompensohet edhe kushdo që bënë thirrje për mosmbajtje të mësimit jo vetëm që tregon një papërgjegjshmëri edhe pandjeshmëri në raport me humbjet e mëdha që janë shkaktuar, por bënë edhe vepër penale duke bërë thirrje kundër ekzekutimit të një vendimi i cili është në kompetencë dhe përgjegjësi të ministrisë…Inspektorët e Arsimit nesër do të jenë në terren dhe ne kemi pasur mirëkuptim, kemi realizuar pagesat në avans nëse nuk mbahet dita e mësimit sigurisht nuk do të ketë edhe kompensim. Kjo nuk është ndëshkim por është obligim për të respektuar ligjin”, ka thënë ajo.

Sipas saj, kushdo që bën thirrje për mosmbajtje të mësimit po shtynë përpara agjenda politike.

Ajo ka kritikuar Sindikatës e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për papërgjegjshmëri, derisa ka thënë se kryetari i sindikatës duhet të vë përpara interesin e fëmijëve dhe jo atë personal.

“Sindikata e Arsimit ka kundërshtuar në vazhdimësi, është mungesë e përgjegjësisë së tye dhe unë bëj thirrje edhe nga këtu që edhe zotëri Jashari dhe gjithë të tjerët duhet të dinë kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre. Përcaktimi i kalendarit të vitit shkollor është përgjegjësi ligjore e Ministrisë së Arsimit, kryetari i sindikatës duhet të ndjehet keq për gjithë këto humbje dhe duhet së paku një herë në jetën e vet të vë përpara interesin e fëmijëve e jo interesat personale. Nuk i takon askujt të bëjë thirrje të mos realizohet mësimi”, ka shtuar ajo.

Mbajtja mësimit në ditët e shtuna, sipas ministres Nagavci nuk është as ngarkesë fizike dhe as psikologjike për nxënësit.

Këto deklarata, Nagavci i ka bërë pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes bashkëpunimit mes Qendrës së Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi” dhe përfaqësuesve të bizneseve, si dhe nënshkrimit të kontratave me nxënësit për kryerjen e praktikës profesionale në ndërmarrje, në profilin e Flokëtarisë.

Të ngjashme