Sport
Nadal ia shuan ëndrrën Gjokoviqit në “French Open”
Demokracia
09:24 | 01 Qershor 2022

Share:

Ylli i tenisit, Rafael Nadal, ka shënuar fitore tejet të rëndësishme kundër serbit Novak Gjokovic, për ta prekur gjysmëfinalen e “French Open”.

Nadal, i cili po synon titullin e tij të 14 të Roland Garros, shënoi fitore me shifrat 6-2 4-6 6-2 7-6, respektivisht 4:0 në sete, kundër kampionit aktual dhe numrit një në botë, Gjokovic, në një përballje tejet interesante që zgjati katër orë e 12 minuta.

Serbi e kishte mposhtur Nadalin në gjysmëfinalen e vitit të kaluar dhe ishte i vendosur ta barazonte atë me tituj, gjithsej 21 tituj Grand Slam, pasi iu mohua mundësia për të thyer rekordin vetë në Australi.

Ky ishte takimi i 59 në histori mes të dy tenistëve, ku Gjokoviqi kryeson me 30 fitore, krahas 29 sosh sa ka Nadali, por ky i fundit ka më shumë tituj të Grand Slam, dhe tani e ka një tjetër mundësi të artë që të ketë dy tituj më shumë se serbi.

“Një ndeshje tejet e vështirë. Novak është njëri nga lojtarët më të mirë në histori, dhe të luash kundër tij është gjithmonë një sfidë fantastike. E vetmja mënyrë që të fitosh kundër tij është që të tregosh vetën që nga minuta e parë deri te ajo e fundit. Një natë magjike për mua”, tha Nadal.

Në anën tjetër, Gjokoviqi tha se me këtë fitore, Nadali tregoi që është një kampion i madh.

“Ai tregoi pse është një kampion i madh. Qëndroi i fortë që nga fillimi i ndeshjes dhe e përfundoi ndeshjen ashtu siç e filloi”, tha Gjokoviqi.

Tani, në gjysmëfinale Nadali do të përballet me Alexander Zverev, i cili së fundmi e eliminoi tinejxherin spanjoll, Carlos Alcaraz.

Të ngjashme