Lajme
Na duhet një legjitimitet i ri popullor para zgjedhjeve në SHBA, thotë Kusari – Lila
Demokracia
13:25 | 25 Maj 2024

Share:

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka potencuar se Qeveria aktuale e Kosovës është e interesuar për një legjitimet të ri popullor para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat pritet të mbahen në nëntorin e këtij viti.

Megjithatë sipas saj partia në pushtet nuk do të pranojë shpërndarjen e Kuvendit të Kosovë – siç e do Partia Demokratike e Kosovës – derisa të gjitha partitë opozitare nuk pajtohen për një gjë të tillë.

“Mazhoranca nuk do të pranojë të votojë  për shpërndarjen e legjislaturës së tetë pa unifikim të opozitës, madje këtë gjë e kemi bërë të ditur edhe PDK-së”, thotë ajo në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Kosova Press.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, potencoi se enjtja e 30 majit do të jetë dita e fundit për mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës. Sipas tij nëse deri më 30 maj nuk arrihet koordinimi për shpërndarjen e Kuvendit humbet mundësia që qytetarët t’u drejtohen kutive të votimit më 30 qershor apo 7 korrik.

Por, sipas Kusari – Lilës, javën e ardhshme nuk do të ketë asgjë të jashtëzakonshme dhe se Kuvendi do të vazhdojë punën normalisht.

“Nisma për shpërndarje të Kuvendit me vetëm kërkesën e PDK-së nuk mund të jetë e garantuar të ketë sukses”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ishte opozitari i vetëm i cili pranoi ftesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për takim më 13 maj ku mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare doli të jetë tema kryesore.

Ftesën e Kurtit për këtë takim e refuzoi Lidhja Demokratike e Kosovës dhe AAK.

Si LDK ashtu edhe AAK argumentuan se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme vetëm nëse kryeministri Albin Kurti jep dorëheqje.

Sipas tyre kërkesa e PDK-së për shpërndarje të Kuvendit të Kosovës është e pakuptimtë.

PDK po punon që ta bindë LDK-në dhe AAK-në për të shkuar në zgjedhje të parakohshme sipas formulës së shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.

Madje për këtë çështje kryetari Krasniqi, të premten, i dërgoi letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, ku argumentonte se pse zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen më së largu më 30 qershor ose 7 korrik.

Të ngjashme