Lajme
Myftiu Tërnava: I papranueshëm terrori i makinerisë ruse në Ukrainë
Demokracia
14:46 | 01 Mars 2022

Share:

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka reaguar karshi pushtimit rus në Ukrainë, duke thënë se makthi dhe terrori që po e përjeton populli i ukrainas janë paralajmërim për ditë të rënda për njerëzimin.

Tërnava ka thënë se agresioni rus në Ukrainë është i papranueshëm.

“Me vëmendje e shqetësim kam përcjell eskalimin e situatës në Ukrainë. Makthin dhe terrorin që po e përjeton populli i Ukrainës nën kërcënimin e makinerisë ushtarake ruse, është ogur i zi që paralajmëron ditë të rënda për njerëzimin, para së gjithash për qytetarët e paarmatosur ukrainas. Pamjet e granatimeve të qyteteve e të vendbanimeve me popullatë civile, radhët e gjata të qytetarëve duke u larguar nga shtëpitë dhe vatrat e tyre, si dhe viktimat e pafajshme në radhët e civilëve, për ne janë të papranueshme, ngase vetëm para dy dekadash, kemi kaluar nëpër një situatë të tillë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka apeluar gjithë faktorin ndërkombëtar që para luftës e gjakderdhjes të zgjedhë paqen e tolerancën.

“Lutem dhe apeloj tek të gjithë faktorët ndërkombëtarë, që para luftës e gjakderdhjes të zgjedhin paqen, para konfliktit të zgjedhin mirëkuptimin e tolerancën, para vuajtjeve e shkatërrimit të zgjedhin qetësinë e stabilitetin. Lusim Zotin që situata e tanishme në Ukrainë të zgjidhet me mjetet politike e paqësore dhe bota e njerëzimi të jenë më të qetë e më të sigurt”, tha Tërnava.

Myftiu Tërnava ka thënë se të gjithë së bashku duhet thënë “Jo” luftës.

“Paqe e qetësi për popullin e Ukrainës, të shmangin gjakderdhjen, shkatërrimet dhe trazirat, t’i themi fuqishëm JO luftës”, ka përfunduar ai.

Të ngjashme