Lajme
Myftiu i Shqipërisë takon Papa Françeskun, i kërkon mbështetje për pavarësinë e Kosovës
Demokracia
14:09 | 07 Maj 2022

Share:

Me ftesë të Papa Françeskut, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Hoxhë Bujar Spahiu, vizitoi shtetin e Vatikanit, nga ku u prit në një audiencë të veçantë nga Papa.

Takimi kokë më kokë midis Papa Françeskut dhe Bujar Spahiut zgjati për më shumë se 30 minuta, thuhet në komunikatën e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, përcjell Demokracia.com.

“Bashkëjetesa paqësore ndërmjet feve në Shqipëri, Dokumenti i Vëllazërisë Njerëzore i nënshkruar midis Imamit të Madh të Al-Az’har, Ahmed Tajib dhe Papa Fançeskut, ishin temë kryesore e bisedës që Spahiu zhvilloi gjatë audiencës me Papën.  Dy krerët e lartë ndanë mendime të njëjta për rolin që luan feja në marrëdhëniet ndërnjerëzore, kontributin që ajo luan për ruajtjen e këtyre vlerave, sidomos në mbrojtjen e familjes, si qelizë themelore e shoqërisë, rol të cilin ata e vlerësuan si të pa çmueshëm. Papa vlerësoi rolin e veçantë që luan Kryetari Spahiu në promovimin dhe përhapjen kudo në Shqipëri të Dokumentit të firmosur në Abu Dabi mbi vëllazërimin njerëzor.  Kryetari Spahiu gjatë audiencës i kërkoi Papa Françeskut mbështetjen e shtetit të Vatikanit për pavarësinë e Kosovës. Të dy krerët shkëmbyen edhe dhuratat e rastit në fund të takimit”, thuhet në komunikatë.

Në njoftimin e komitetit thuhet se takimi midis Papës dhe Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë është i pari në llojin e tij që prej themelimit të KMSH-së.

“Më pas, takimet e kryetarit Spahiu vijuan me Sekretarin e Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet (Ministri i Jashtëm), imzot Paul Richard Gallagher dhe me Kryetarin e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinalin Miguel Ángel Ayuso Guixot.  Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, gjatë kësaj vizite në Vatikan, u shoqërua nga Kancelari i institucionit, Ylli Cikalleshi, Drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë, Fejzi Shaholli, Drejtori i Financës dhe Vakëf/Investimeve, Edison Hoti dhe Drejtori i Kabinetit, Ejup Lila.  Kjo vizitë u iniciua nga Nunci Apostolik në Tiranë, Luigi Bonazzi”, thuhet më tej në komunikatë.

Spahiu, së bashku me delegacionin që e shoqëronte, u prit dhe shoqërua gjatë gjithë kohës nga e ngarkuara me punë e Republikës së Shqipërisë në Vatikan,  Majlinda Dodaj./Demokracia.com/

 

Të ngjashme