Lajme
Myfti Tërnava në Prekaz, lut Zotin që familja Jashari të shpërblehet për sakrificën e saj.
Demokracia
17:09 | 02 Maj 2022

Share:

Përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës, të udhëhequr nga myftiu Naim Tërnava, kanë vizituar familjen e heroit Adem Jashari në Prekaz, në nder të Fitër Bajramit.

Të parin e BIK-ut dhe përfaqësuesit e tjerë, në kullën e Jasharëve i ka pritur, baca Rifat, me ç’rast, siç bëhet e ditur në njoftim, Tërnava duke e falënderuar atë për mikëpritje dhe duke i uruar festën e Fitër Bajramit, është lutur që familja Jashari të shpërblehet nga Zoti për sakrificën që ka bërë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Po ashtu në njoftim bëhet e ditur se delegacioni i BIK-ut së bashku me bacën Rifat kanë bërë homazhe edhe varrezat e familjes Jashari.

Njoftimi i plotë nga BIK, pa ndërhyrje:

Për nder të festës së Fitër-Bajramit, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, me bashkëpuntorë sot vizitoi familjen Jashari në Prekaz, në të cilën u mirëprit nga baci Rifat Jashari.

Me këtë rast Myftiu e falënderoi bacin Rifat dhe familjen Jashari për pritjen dhe respektin dhe njëherësh ua uroi festën e Fitër-Bajramit, duke lutur Zotin që familjen Jashari ta shpërblejë për sakrificën e pashembulltë që kanë bërë për Kosovën dhe që t’i shpërblejë në dy botët me të mirat e Tij.

Në emër të familjes Jashari, baci Rifat, e falenderoi Myftiun Tërnava për vizitën dhe çmoi kontributin e BIK-ut dhe Myftiut Tërnava që kanë dhënë dhe po japin në të mirë të vendit si në aspektin fetar ashtu edhe në atë kombëtar.

Më pas delegacioni nga Kryesia vizitoi varrezat e familjes Jashari, ku edhe kënduan nga një El-Fatiha. /Demokracia.com/

Të ngjashme