Besian Mustafa, kandidati për kryetar të LDK-së është deklaruar para mediave.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), është duke zhvilluar Kuvendin Zgjedhor pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që pasoi edhe me dorëheqjen e Isa Mustafës.
Besian Mustafa, i cili është në mesin e kandidatëve për të parin e LDK-së, ka deklaruar para mediave se ai ka kandiduar për këtë post me të vetmin qëllim, që ta thyej heshtjen brenda subjektit politik pas rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit, raporton Demokracia.com.
I pyetur nëse ka ndonjë degë që do ta përkrah atë, përveç degës së Prishtinës, pasi që tashmë dega e Pejës i ka ofruar mbështetje Lumir Abdixhikut, ai ka thënë se në LDK së pari duhet të thyhet heshtja.
Sipas Mustafës, të gjithë anëtarët e LDK-së kanë përgjegjësi për zgjedhjet e 14 shkurtit dhe për këtë arsye edhe duhet të thyhet heshtja brenda këtj subjekti politik.
“Nuk e kam të qartë edhe këtë veprim. Zgjedhjet e fshehta me kuti secili nga 328 delegatët do ta bëj me vullnet dhe vlerësim të tij. Unë para pak ditësh kam publikuar një letër të hapur që e lus, i bëj ftesë Lidhjen Demokratike të Kosovës që të thyej heshtjen që çuditërisht mbizotëron në LDK që pas rezultatit të 14 shkurrit dhe të gjitha përpjekjet e mia edhe atëherë edhe sot edhe kandidimi im sot është për të instaluar që heshtja në LDK të thyhet. Dhe besoj se këto zgjedhje, pra sot më 14 mars një muaj pas atyre rezultati në zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës, heshtja në LDK shpresoj, besoj dhe uroj të jetë thyer sepse kjo heshtje në LDK nuk mund të mbizotërojë dhe kjo heshtje në LDK duhet të përfundojë sa më parë. LDK-ja ka nevojë që të bisedoj, dialogojë me vetveten, strukturat, qytetarët, votuesit e me ish-votuesit dhe nga kjo, ky dialog, ky diskutim të rikthehemi në themelet tona, në vizionin tonë të vitit 1989 kur LDK-ja ishte lëvizje popullore euro-atlantike, pra properëndimore dhe këto janë themelet dhe vlerat bazë të LDK-së dhe këto duhet t’i kthejë LDK-ja. Të gjithë bartim përgjegjësi dhe kemi përgjegjësinë tonë për gjendjen ku gjendet LDK-ja dhe prandaj kërkoj të thyhet heshtja dhe të dialogojmë e debatojmë pa emra por si LDK”, ka deklaruar Mustafa, raporton Demokracia.com.
E sa i përket kandidatëve të tjerë, Lutfi Hazirit dhe Lumir Abdixhikut, Mustafa ka thënë se të gjithë duhet të shihen si një ekip, pa marrë parasysh se kush do të fitojë këto zgjedhje.
“Natyrisht ne të gjithë jemi një ekip si unë, si Lumiri, si Lutfi si Antoni e si gjithë të tjerët, jemi një ekip, ekipi LDK dhe këtë kam kërkuar të kemi projektin LDK, ekipin LDK dhe jo projekte e ekipe individuale, prandaj të gjithë jemi një ekip”, deklaroi Mustafa. /Demokracia.com/