Lajme
Mustafa: Po të kishte të drejtë LVV për demarkacionin, të gjithë do të ishim në burg
Demokracia
23:27 | 04 Prill 2022

Share:

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se po të kishte të drejtë Vetëvendosja për Demarkacionin të gjithë do të ishin në burg, duke filluar që nga komisioni i cili e ka vendosur vijën kufitare.

Sipas Mustafës, Kosova jo që do t’i kthente ato 8 mijë e 200 hektarë tokë por çështja do të shkonte deri te Kuvendi i Republikës së Kosovës i cili ka ratifikuar një marrëveshje të tillë sepse askush sipas tij nuk ka të drejtë që t’ia fal një shteti tjetër 8 mijë e 200 hektar.

“Këta njerëz (Vetëvendosja) nuk kanë të drejtë sepse po të kishin të drejtë jo që do t’i ktheni ato 8 mijë e 200 hektarë po ai komision i cili atëherë ka vendosur për atë vijë kufitare sot do të ishte në burg, do të ishim në burg edhe ne që e kemi aprovuar në qeveri një çështje të tillë e më vonë edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës i cili ka ratifikuar një marrëveshje të tillë sepse askush nuk ka të drejtë që t’ia fal një shteti tjetër 8mijë e 200 hektar, me pas argumente, me pas fakte por meqenëse nuk kanë fakte shërbehen vetëm me kauza politike që dëmtojnë tani edhe Kosovën , dëmtojnë edhe relacionin me Malin e Zi”, ka thënë Mustafa në Tëvë1.

Mustafa, ka thënë se po të ishte në krye të LDK-së nuk do ta kishte mbështetur Vjosa Osmanin që të bëhet presidente.

“Unë nuk do ta kisha mbështetur të bëhet fare, sepse po të isha unë LDK nuk do t’ia kisha dhënë përkrahjen që Vjosa Osmani të bëhet presidente, ia kanë dhënë ata që kanë ardhur pas meje dhe unë asnjë rast nuk kam dalë publikisht të them se e kundërshtoj ose të ushtroj ndikim sepse po të kisha dashur të ushtroj ndikim unë e kisha shtyrë mandatin tim si kryetar i LDK-së deri sa ajo çështje ishte vendosur në Kuvend”, është shprehur ai.

Të ngjashme