Lajme
Mustafa për kritikat e QUINT-it ndaj Kurtit: Ndër reagimet më të rënda dhe me rrezik afatgjatë për vendin
Demokracia
14:30 | 25 Mars 2022

Share:

Pavarësisht thirrjeve dhe përpjekjeve të shteteve të QUINT-it që zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë  të mbaheshin në Kosovë, kryeministëri Kurti dhe Qeveria e tij vendosën të refuzonin një gjë të tillë, për çka pasoi reagim i ashpër nga Amerika e katër vendet tjera të Evropës. Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i cilëson si një nga fjalët më të rënda prej ndërkombëtarëve.

Isa Mustafa  në një intervistë për Periskopin ka deklaruar qartë se komunikata me qasje të ashpër nga QUINT është ndër reagimet më të rënda dhe me rrezik afatgjatë për partneritetin e vendit tonë me Bashkimin Evropian dhe Amerikën.

“Përfundimi i deklaratës së QUINT-it se kjo sjellje e Qeverisë minon aspiratat evropiane, flet për seriozitetin e këtij reagimi. Është ndër reagimet më të rënda dhe potencialisht me rrezik afatgjatë për partneritetin e vendit tonë me BE dhe SHBA.”, deklaroi Mustafa për Periskopin.

Tutje Mustafa tha se QUINT ka qenë në dijeni për qëndrimet e Vetëvendosjes ‘, konkretisht të Albin Kurtit e Vjosa Osmanit.

“Ç’është e vërtetë QUINT i ka ditur edhe më parë qëndrimet e Vetëvendosjes ( të kryeministrit të tanishëm dhe të presidentes) dhe asgjë s’ka ndodhur jashtë asaj çfarë publikisht kanë deklaruar gjatë fushatës, e për çfarë kanë gjetur përkrahje të parezervë të këtyre vendeve veç e veç që sot shprehen të pakënaqura.” Ka thënë ish-kreu i LDK’së.

Sipas  ish-kryeministrit Mustafa, nëse dikush duhet qortuar QUINT duhet qortuar vetveten ‘’sepse disa përfaqësues të tyre diplomatik në Kosovë silleshin thuaja se ishin pjesë e Vetëvendosjes’’.

“Prandaj nëse  duhet qortuar dikush, QUINT duhet qortuar vetveten, sepse disa përfaqësues të tyre diplomatik në Kosovë silleshin thuaja se ishin pjesë e Vetëvendosjes. Qeveria nuk i ka mashtruar por ata janë vet mashtruar me qëllim apo pa të. Pasojat, druaj se do të jenë të mëdha dhe afatgjata, do t’i bartë Kosova. Vendi ynë ka nevojë të stabilizohet, të ushtrojë sovranitetin në tërë territorin por nëse një  pjesë e qytetarëve kërkon zgjidhje në Serbi dhe jo në shtetin e tyre, atëherë kjo flet se institucionet tona janë larg që ta bëjnë punën e tyre”, tha Mustafa.

Ndërkaq në anën tjetër, derisa po ndodhë ky zhvillim, kemi një heshtje nga partitë opozitare në vend.

Periskopi ka provuar të kontaktojë me disa deputetë opozitar, por që me të kuptuar temën, refuzuan të flisnin

Kur jemi tek kritika e QUINT dhe zgjedhjet serbe (të palejuara), kryeministri Albin Kurti sot ia nisi një letër Bashkimit Evropina, duke u thënë atyre por edh OSBE’së që të mos legjitimojnë orvajtjet e Serbisë.

Të ngjashme