Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka falënderuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës.
Gjatë ditës së sotme, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, mbi raportin e Dick Martyt, të cilin e cilësoi si raport të rremë dhe theksoi se si pasojë e këtij raporti u formua edhe Gjykata Speciale e cila padrejtësisht po i mban në paraburgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas fjalimit të Ramës, ish-kryeminsitri i Kosovës, Isa Mustafa e ka falënderuar atë, duke thënë se Rama sot u bë zë i së vërtetës mbi Kosovën dhe popullin e saj, shkruan Demokracia.com.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Mustafa ka kritikuar qeverinë aktuale.
“Edi meriton përkrahjen dhe falënderimin tonë, të atyre që e duan dhe nuk e duan, sepse ai foli me argumente, kurse disa nga ne na ka kapluar urrejtja dhe inati primitiv. Edi u vu në mbrojtje të Kosovës, derisa udhëheqësit tanë po mbrojnë kolltukët e tyre”, ka shkruar Mustafa.
Postimi i plotë i Mustafës, pa ndërhyrje:
Në Asamblenë e Këshillit të Evropës u tha një e vërtetë e madhe nga goja e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Sot, ai ishte zëdhënës me plot dinjitet i të vërtetës për Kosovën dhe luftëtarët e saj të lirisë.
Edi meriton përkrahjen dhe falënderimin tonë, të atyre që e duan dhe nuk e duan, sepse ai foli me argumente, kurse disa nga ne na ka kapluar urrejtja dhe inati primitiv. Edi u vu në mbrojtje të Kosovës, derisa udhëheqësit tanë po mbrojnë kolltukët e tyre. /Demokracia.com/