Minsitri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ka mbajtur një konferencë për medie në lidhje me zhvillimet e sotme në këtë minsitri.
Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, mëngjesin e sotëm ka zhvilluar një aksion në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përkatësisht në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe në disa komuna të tjera, ku rezultoi me 12 arrestime dhe rreth 400 mijë euro të sekuestruara, raporton Demokracia.com.
Lexo edhe:
Rreth 400 mijë euro të sekuestruara dhe 12 persona të arrestuar nga aksioni i sotëm i policisë
Ky aksion erdhi pas keqpërdorimeve për subvencione në këtë agjenci e cila është në kuadër të MBPZHR-së.
Pas këtij aksioni, ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, në një konferencë për medie deklaroi se ka suspenduar gjithsej shtatë zyrtarë, përfshirë sekretarin e përgjithshëm të ministrisë, Hasan Sejfijajn dhe Agim Nuhën, kryeshef i Agjencisë për Zhvillim Ekonomik, raporton më tutje Demokracia.com.
Mustafa bëri të ditur se do të bashkëpunojnë ngushtë me organet e rendit në mënyrë që sa më shpejtë të zbardhet i gjithë ky rast.
“Pas konfirmimit të aktakuzës nga prokurori i shtetit për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kam suspenduar sekretarin e përgjithshëm të ministrisë dhe kryeshefin e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë dhe pesë zyrtarë të tjerë. Transparenca dhe bashkëpunimi ligjor kanë qenë kryefjala e punës sonë, gjë që e kemi theksuar qysh nga fillimi dhe jemi betuar që të mbajmë zero tolerancë ndaj keqpërdorimeve eventuale. Personalisht në asnjë formë nuk dua t’i komentoj apo përdor për përfitime politike hetimet. Çdo gjë e kemi adresuar tek institucionet e drejtësisë dhe në këtë formë do të veprojmë gjithmonë. Prandaj e falënderoj publikisht Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës dhe të gjithë do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me organet e rendit dhe ligjit, njëkohësisht ftoj këto organe që këtë çështje ta çojnë deri në fund. Unë dhe kabineti im mbesim të gatshëm të bashkëpunojmë në këtë drejtim. Aksioni si ky i sotëm duhet të përjetohen si ditë të mira kur qartësohen gjërat dhe drejtësia kryen punën e saj. Për shkak se siç kemi dëgjuar edhe deklaratën e kryeprokurorit të shtetit, hetimet janë në vazhdim do të jem i rezervuar në komente dhe përgjigje”, theksoi Mustafa.
Në këtë konferencë Mustafa u pyet nëse ka qenë në dijeni në lidhje me hetimet që ka bërë prokuroria.
“Të gjitha veprimet tona kanë qenë në bashkëpunim dhe koordinim të vazhdueshëm me organet e rendit dhe ligjit. Fatkeqësisht në këtë rast fatmirësisht për shkak të hetimeve në vazhdim e kam të pamundur të komentoj në detaje”, u përgjigj Mustafa.
Ai po ashtu bëri të ditur se aksioni i sotëm nuk është aspak politik dhe askush nuk duhet ta marrë si të tillë.
“Kjo nuk ka të bëj me aspektin politik, prandaj as nuk dua edhe e thash edhe qysh në fillim që ta shoh si politik këtë çështje dhe ta përdor secili prej nesh, unë apo dikush tjetër për poenë politik, kjo është punë e prokurorisë dhe hetuesisë”, deklaroi Mustafa. /Demokracia.com/