Lidhja Demokratike e Kosovës ka hapur sot në Podujevë fushatën për zgjedhjet e parakohshme nacionale të 14 shkurtit.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka hapur sot në Podujevë fushatën për zgjedhjet e parakohshme nacionale të 14 shkurtit.
Kryetari i kësaj partie Isa Mustafa tha se në këto zgjedhje është e rëndësishme të vendoset për orientimin e shtetit të Kosovës, duke shtuar se LDK ka një kulturë demokratike ndërsa Lëvizja Vetëvendosje rrënuese.
Ai ka thënë se “kulturën e LDK-së nuk mund ta vjedhin ata që thyen qafën e shkuan në listën e Vetëvendosjes”.
I pari i LDK-së tha se kjo parti ka dallime të mëdha ideologjike me Lëvizjen Vetëvendosje, andaj sipas tij, qytetarët duhet të vendosin për një shtet demokratik me LDK-në apo një tjetër të centralizuar. Ai tha se kulturën e LDK-së dhe atë të Ibrahim Rugovës nuk mund ta vjedhë askush.
“As këta tonët që kanë thyer qafën dhe kanë shkuar në listë të Vetëvendosjes as ata s’mund ta marrin, as flamurin e Ibrahim Rugovës, as himnin ‘Kur ka ra Kushtrimi n’Kosovë’ e as kulturën demokratike tonën, sepse ajo është e jona dhe nuk mund askush ta përvetësojë. Dhe ne dallojmë këtu nga ata që kanë kulturë tjetër, kultura e tyre deri sot ka qenë kulturë rrënuese. Mua më vjen keq të flas kështu për qytetarët e Kosovës, për njerëz të Kosovës, për të rinj të Kosovës, por për fat të keq janë treguar kështu. Janë ata që e kanë refuzuar planin e Ahtisaarit, janë ata që kanë refuzuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, janë ata që kanë kundërshtuar simbolet e Kosovës, andaj nuk e meritojnë përkrahjen e qytetarëve që ta drejtojnë Kosovën”, tha Mustafa.
Isa Mustafa tha se LDK do të fitojë besimin e qytetarëve më 14 shkurt meqë ka kandidatin më të mirë për kryeministër, që sipas Mustafës, është ai që i solli Kosovës njohjen nga Izraeli dhe i pari që nënshkroi marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë.
Ndërsa për ekonomi, Mustafa tha se tashmë e kanë dëshmuar që punojnë më së miri.
“Lidhja Demokratike duhet të fitojë dhe Lidhja Demokratike do të fitojë. Ne ia lëmë Vetëvendosjes sondazhet dhe ne i marrim votat, sepse ne kemi besim qytetar. Sikur të ishin sondazhet e porositura, moti ishin bërë disa parti të mëdha dhe moti do ta kishin qeverisur Kosovën. Ne e kemi qeverisur Kosovën dhe e kemi qeverisur në mënyrën më të mirë. Ne kemi kandidatin më të mirë për kryeministër të vendit, asnjë prej atyre që janë aty nuk i afrohet, njeri i mençur, i urtë, njeri i cili di të komunikojë me qytetarët e Kosovës, di t’i zgjedhë problemet e qytetarëve të Kosovës, njeri i cili mund të komunikojë me zyrat më të rëndësishme të shteteve më të mëdha në botë dhe njeriu i cili na pruri njohjen nga Izraeli dhe nënshkroi marrëveshjen e parë në Shtëpinë e Bardhë”, tha Mustafa.
Në hapjen e fushatës së LDK-së në Podujevë ka folur edhe Agim Veliu i cili më parë e ka drejtuar këtë komunë.
Ai ka vazhduar ta quajë Llapin bastion të LDK-së, ani pse aktualisht nuk po qeverisin në këtë komunë.
Veliu shtoi se LDK do ta kthejë këtë komunë në qeverisje, duke e quajtur të përkohshëm kryetarin aktual të saj.
“Nuk është hera e parë që LDK është goditur edhe nga brenda, e hanin bukën e shtëpisë dhe bënin argatin fqinjit, thotë një fjalë jona popullore. Të gjithë ata që e kanë ndjekur këtë rrugë, kanë përfunduar në hirin e historisë, kështu do të ndodhë edhe në të ardhmen. Hiri i historisë dhe harresës politike do t’i mbulojë edhe ata që sot duan ta çojnë këtë vend krejt dhe drejt humnerës, duke proklamuar politika e programe majtiste e marksiste, ata e duan krejt pushtetin në emër kinse çkapjes së shtetit, por duan ta çkapin për ta kapur fort e për të instaluar diktaturën sipas shembullit korean-verior, por kjo nuk do të ndodhë”, tha Veliu.
Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Agim Veliu, tha se kjo parti ka njerëzit më të mirë në listë zgjedhore, përfshirë Avdullah Hotin si bartës i listës, që sipas tij, është ai që i ka kthyer autoritetin Kosovës. /Demokracia.com/