Lajme
Mustafa: Ajrin e ndotin termocentralet, veturat dhe shtëpitë
Demokracia
21:40 | 04 Mars 2021
ilustrim

Share:

Shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në Kosovë janë termocentralet në Obiliq, automobilat dhe oxhaqet e shtëpive.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) dje ka raportuar për nivel të lartë të ndotjes së ajrit në Prishtinë dhe ka shpërndarë edhe aplikacionin me anë të të cilit qytetarët mund të përcjellin cilësinë e ajrit në komunat e tyre.

IKSHPK përmes një komunikate për media, ka thënë se ajri i ndotur po ndikon probleme shëndetësore ndryshme, përcjell Demokracia.com. 

Faktorët kryesorë të ndotjes së ajrit janë termocentralet, veturat si dhe ngrohja me djegie gjatë dimrit.

Kështu ka deklaruar për Demokracia.com, profesori i Departamentit Biologjisë Universitetin e Prishtinës, Dr. Behxhet Mustafa. 

Faktorët kryesor ndotjes ajrit Kosovë janë: Termocentralet Obiliq, automobilizmi dhe oxhaqet e shtëpive”, tha Mustafa për Demokracia.com. 

E sa i përket dëmeve që shkakton ajri i ndotur, Mustafa thotë se ajri i tillë ka efekte të dëmshme në shëndetin e njeriut, i cili mund të shkaktojë sëmundjen e organeve të frymëmarrjes. Po ashtu, ajri i ndotur ndikon negativisht për personat me sëmundje kronike, sidomos për personat e sëmurë nga astma.

“Ajri i ndotur ka efekte të dëmshme në shëndetin e njeriut dhe mund të shkaktojë sëmundje të organeve të frymëmarrjes siç janë pneumonitisi, astma, kanceri i mushkërive etj. Efekti i ajrit të ndotur tek të sëmurit me sëmundje kronike është i madh, siç është rasti me ata që vuajnë nga astma”, pohoi Mustafa. 

Vet qytetarët mund të kontribuojnë në uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, thotë profesori Mustafës. 

“Qytetarët duhet ta japin kontributin e tyre në uljen e nivelit të ndotësve në ajër, sepse është e rëndësishme për shëndetin tonë dhe mjedisin në përgjithësi. Ekzistojnë mënyra të ndryshme se si qytetarët mund të ndikojmë në uljen e ndotjes së ajrit. Atë mund të bëjnë duke ecur, lëvizur me biçikletë dhe duke  përdorur transportin publik në vend se të udhëtojmë me makinë. duke shmangur djegien e mbeturinave dhe materialeve të tjera”, deklaroi Mustafa për Demokracia.com. 

Institucionert shtetërore mund të bëjnë më shumë për përmirësimn e cilësisë së ajrit 

Ndërsa për përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend, institucionet shtetërore do të mund të ndikonin duke planifikuar zgjerimin e sipërfaqeve të gjelbëruara dhe duke shtuar shtigje të gjelbra. Po ashtu një politikë tjetër shtetërore do të ishte monitorimi i industrive. 

“Që të zvogëlohen ndotësit e ajrit, institucionet tona duhet të realizojnë një planifikim të mirë urban, veçmas duke zgjeruar sipërfaqet e gjelbra për publikun, duke  shtuar shtigjet për këmbësorë dhe çiklistë. Gjithashtu  duhet të monitorohen industritë se çfarë pajisjesh të kontrollit të ndotjes përdorin siç janë filtra etj.”, tha Mustafa. 

E që ajri të mos ketë cilësi të dobët duhet të merren disa masa parandaluese siç janë: kogjenerimi në kryeqytet dhe në qytetet përreth si Obiliqi dhe Fushë Kosova, në mënyrë që të zvogëlohet ndotja nga oxhaqet. 

“Urgjent duhet bërë kogjenerimi në kryeqytet dhe në qytetet afër si Obiliq dhe Fushë Kosovë, me qëllim që të zvogëlohet ndotja nga oxhaqet”, shtoi Mustafa. 

Energjia alternative për parandalimin e ndotjes  së ajrit është ajo nga burimet që nuk e ndotin ajrin, siç janë energjia e Diellit dhe e erës. 

“Duhet gjithsesi të prodhohet energji alternative nga burimet që nuk e ndotin ajrin siç janë energjia nga era dhe ajo nga Dielli”, përfundoi Mustafa./Demokracia.com/

Të ngjashme