Lajme
Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë akuzon Nagavcin për politizim të grevës
Demokracia
20:15 | 24 Gusht 2022

Share:

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka hedhur kritika dhe akuza në drejtim të Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, akuzoi Ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, për politizim të çështjes së grevës së përgjithshme, të paralajmëruar nga mësimdhënësit.

Përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, Musmurati ka thënë se takimet për informim mbi politikat e reja të ministrisë dhe dialogut social po bëhen tubime dhe ligjërime partiake.

“Për habinë time, kuptoj se në vend që të fokusohej në politikat arsimore që së bashku duhet t’i zhvillojmë, Ministrja Nagavci sot takoi mësimdhënësit, në mes tjerash, për të politizuar rreth grevës së paralajmëruar. Ndoshta edhe duhej ta kisha paramenduar; një takim i tillë po thirret në moment të fundit, pas njoftimit për grevë të përgjithshme në arsim”, shkroi Musmurati, duke theksuar se mësimdhënësit, prindërit e nxënësit e kryeqytetit e dinë gjendjen në arsim.

“Nuk kanë nevojë për ligjërata dhe moralizime mbi qeverisjet e kaluara, lokale apo qendrore, sepse gjendja flet vetë”, ka shkruar ndër tjerash Musmurati.

Reagimi i plotë i Musmuratit, pa ndërhyrje:

Rruga përpara e arsimit në Prishtinë nuk guxon të politizohet, e aq më pak nga Ministria e Arsimit si organi më i lartë i arsimit në vend.

E mirëprita takimin e sotëm të Ministres Nagavci me mësimdhënësit e Prishtinës, edhe pse vetë nuk mund të isha e pranishme. Arsimi është temë që tejkalon interesat partiake dhe duhet të bashkojë akterët lokalë dhe qendrorë për të mirën e përbashkët. Në frymën e këtij bashkëpunimi, si Drejtori e Arsimit ofruam ndihmën tonë për organizim të takimit.

Për habinë time, kuptoj se në vend që të fokusohej në politikat arsimore që së bashku duhet t’i zhvillojmë, Ministrja Nagavci sot takoi mësimdhënësit, në mes tjerash, për të politizuar rreth grevës së paralajmëruar. Ndoshta edhe duhej ta kisha paramenduar; një takim i tillë po thirret në moment të fundit, pas njoftimit për grevë të përgjithshme në arsim.

Më vjen keq që çdo takim që në letër ka për qëllim informimin mbi politikat e reja të Ministrisë dhe dialogun social, në realitet bëhet tubim dhe ligjerim partiak. Mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit e Prishtinës e dinë gjendjen e arsimit. Nuk kanë nevojë për ligjerata dhe moralizime mbi qeverisjet e kaluara, lokale apo qendrore, sepse gjendja flet vetë.

Koha është që të shohim përpara dhe të flasim për të ardhmen që duhet ta ndërtojmë së bashku. Natyrisht, për të ardhmen mund të flasin vetëm ata që kanë vizion, e jo ata që duan të arsyetojnë të kaluarën apo keq-qeverisjen e tyre. Prishtina është vendi më i mirë ku së bashku mund ta fillojmë jetësimin e këtij vizioni, dhe arsimi është tema më e duhur.

Arsimi duhet të na bashkojë. Unë jam e gatshme që sikurse sot, bashkë me ekipin që udhëheq në Drejtorinë e Arsimit, të ofrojmë bashkëpunimin për një dialog të mirëfilltë në përmirësim dhe depolitizim të arsimit. Por, asesi për të lejuar keqpërdorim të mirëbesimit dhe këto platforma dialogu e bashkëpunimi të shfrytëzohen për të përçuar mesazhe partiake që krijojnë ndasi dhe na kthejnë mbrapa. Rruga përpara e arsimit në Prishtinë duket ndryshe.

Të ngjashme