Disa serbë kanë protestuar sot te ura e Bistricës, për shkak të plagosjes së Milan Jovanoviqitit nga Zherovnica, me 10 prill, nga një polic i Kosovës.
Protestuesit e kaluan kordonin prej dhjetë policësh dhe kanë arritur në postbllokun e njësisë speciale të Policisë së Kosovës, ku para tyre në një tavolinë të vendosur nënshkruan peticionin për tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.
Lidhur me plagosjen, Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar katër policë.
Për rastin fillimisht u mohua përfshirja e policëve, ndërsa më pas u konfirmua se plagosja ndodhi nga një polic, i cili gjuajti me armë pasi vozitësi nuk u ndal pas sinjalit të dhënë nga Policia.
Për fillimisht mohimin e përfshirjes së Policisë reagoi i shqetësuar ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
Ndërsa, lidhur me këtë, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, thotë se institucionet duhet të jenë transparente.
“Institucionet e vendit duhet të jenë transparente dhe më përgjegjësi të plotë të sillen me kompetencë konform situatës”, thotë ajo për Gazetën Blic.
Lidhur me kërkesën e serbëve që Policia e Kosovës të largohet tërësisht nga veriu, Musliu thekson se nuk është diçka e re dhe se do të jetë më mirë për serbët dhe Kosovën që ata sa më parë të distancohen nga politikat e Beogradit.
“Nuk është asgjë e re, serbët në veri që nga paslufta janë instrumentalizuar nga Beogradi. Sa më shpejt distancohen nga politikat e Beogradit, aq më e mirë do të jetë edhe për ta edhe për Kosovën në përgjithësi”, vlerëson ajo.
Deputetja e PDK-së shton se qeveria duhet ta trajtojë me seriozitet veriun dhe se çdo tensionim atje është kthim prapa për vendin.
“Qeveria duhet ta trajtojë me seriozitet veriun. Çdo tensionim i situatës në veri është kthim mbrapa për Kosovën”, deklaron deputetja Ganimete Musliu.