Lajme
Musliu: Qeveria Kurti po terrorizon administratën shtetërore
Demokracia
23:11 | 25 Korrik 2023

Share:

Moszgjedhjen e sekretarëve të përgjithshëm të ministrive dhe drejtorëve të agjencive dhe institucioneve shtetërore, edhe pas përfundimit të gjysmës së mandatit, opozita e sheh paaftësi të Qeverisë.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila më 25 nëntor të vitit 2022 i ishte drejtuar me një pyetje parlamentare kryeministrit Albin Kurti për këtë çështje, thotë se i njëjti është tallur me të.

Musliu ka përmendur si dështim të qeverisë faktin se Ministria e Punëve të Jashtme pavarësisht vëllimit të madh të punëve vazhdon të keqfunksionojë pa sekretar legjitim.

Kjo mënyrë e qeverisjes, sipas njërës nga deputetëve më të vjetra të Kuvendit, është kancer për administratën shtetërore dhe sipas saj, kjo po bëhet me qëllim të terrorizimit të nëpunësve që nuk janë votues të VV-së.

 

Musliu e konsideron joligjore mënyrën e ushtrimit të pushtetit me ushtrues detyre, pasi sipas saj, njerëzit të cilët emërohen në këto pozita përveç që janë servil të Albin Kurtit, mbeten të tillë edhe për t’u shantazhuar.

Arsyetimin e ministrive se konkurset kanë dështuar për shkak të mungesës së kandidatëve të duhur, Musliu e quan justifikim pasi të preferuarit e partisë në pushtet nuk i plotësonin kushtet.

Musliu, partia e së cilës ka qeverisur gjatë me pushtetit, thotë se Qeveria Kurti ushtruesit e detyrës për pozitat e larta shtetërore do t’i largojë vetëm në fund të mandatit kur do t’i zyrtarizojë me mandat të plotë. Kjo sipas saj, është strategji e kësaj qeverie për t’i kapur institucionet edhe kur më nuk do të jenë në pushtet.

Të ngjashme