Pronari i X, i afërt me Presidentin Trump, me të cilin marrëdhëniet janë ftohur, gati të lërë pozicionin e tij në qeverinë amerikane në maj.
Kthimi i Elon Musk te Tesla.
Miliarderi është dashur të përballet me rënien e fitimeve dhe popullaritetit. Ndikimi në shitjet e makinave elektrike të Tesla-s është i dukshëm në të ardhurat dhe fitimet e tremujorit të parë, shkruan e përditshmja italiane La Repubblica.
Kompania e makinave në pronësi të këshilltarit të Trump arriti shitje prej 19.33 miliardë dollarësh dhe një fitim neto prej 409 milionë dollarësh, më pak se parashikimet pesimiste të analistëve.
Kërkesa për makina elektrike, sipas kompanisë, mund të ndikohet veçanërisht nga një “ndryshim në ndjeshmërinë politike”. Dhe kjo është arsyeja pse Musk vendosi të tërhiqet.
Ai ka njoftuar gjatë një telefonate se “me siguri muajin tjetër, koha ime në DOGE (zyra për shkurtimin e shpenzimeve federale) do të ulet ndjeshëm”.
“Do të vazhdoj të punoj me ekipin e DOGE për pjesën e mbetur të mandatit të Presidentit Donald Trump për të siguruar që humbjet dhe mashtrimet të mos ndodhin më kurrë. Një ose dy ditë në javë. Për sa kohë që presidenti dëshiron”, ka shtuar ai.
Pavarësisht këtyre shifrave, marzhi i përgjithshëm bruto i Tesla-s në tremujorin e parë ishte më i mirë se sa pritej. Ai ishte 16.3%, ndërsa parashikimi ishte 15.82.
Megjithatë, kjo shifër është në rënie nga 17.4% një vit më parë. Dorëzimi ra me 13% në tremujorin e parë.
Ofertat e financimit dhe zbritjet në automjetet e inventarit kanë shtrydhur marzhet e fitimit në një kohë kur kompania po përpiqet të rrisë volumin e shitjeve. Por konsumatorët priren të preferojnë automjete hibride më pak të shtrenjta.
Në pritje të të dhënave, aksioni u rrit me më shumë se 4% në Wall Street, edhe pse Tesla ka rënë me 53% që nga dhjetori, muaji në të cilin arriti majat e saj të të gjitha kohërave, në vazhdën e fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA, tek i cili Musk kishte kanalizuar më shumë se 250 milionë dollarë fonde të fushatës.
Që atëherë, rënia ka filluar: më 17 dhjetor, aksioni ishte në 479.86 dollarë, dje ishte hapur në Wall Street me 231.20 për aksion.
Sipas La Repubblica-s, pozicionet politike të krahut të djathtë të Musk kanë përfunduar duke shkaktuar kolapsin e shitjeve në shumë zona të tregut, nga Kalifornia në Gjermani.
Të dielën, analisti Dan Ives bëri thirrje që Musk të largohej nga roli i tij si kreu i DOGE, departamenti që ka iniciuar shkurtime dramatike në stafin federal dhe agjencitë qeveritare, duke shkaktuar protesta nga shumë amerikanë.
“Musk duhet të largohet nga qeveria”, ka shkruar Ives në X, “të tërhiqet nga DOGE dhe të kthehet në të qenit CEO me kohë të plotë të Tesla”.
Problemi i jopopullaritetit të miliarderit afrikano-jugor mbetet i vërtetuar edhe nga sondazhet e reja.
Sipas All-America Economic të CNBC, një në dy amerikanë ka një opinion negativ për Tesla-n.