Lajme
Murphy: Serbia s’ka të ardhme me Rusinë, s’është konstruktive të qëndrosh pranë Putinit
Demokracia
07:59 | 28 Maj 2023

Share:

Senatori amerikan, Chris Murphy, ka thënë se shpreson që Serbia të miratojë sanksionet perëndimore kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë, duke i thënë vendit ballkanik se “nuk ka të ardhme” në një aleancë me Moskën.

“Pushtimi i Rusisë ka qenë një fatkeqësi absolute dhe besimi im është se Rusia përfundimisht do ta humbasë këtë konflikt”, tha senatori Murphy meqë Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur asnjë sanksion ndaj Rusisë.

“E ardhmja e Serbisë është me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara jo me Rusinë. Nuk ka të ardhme me Rusinë. Ata (Rusia) do të shkatërrohen”.

Megjithëse Serbia po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në BE dhe e ka dënuar pushtimin rus në Ukrainë në Kombet e Bashkuara, Beogradi ka ruajtur marrëdhëniet e tij historikisht miqësore me Moskën, shkruan AP, transmeton Gazeta Express.

Vizita e Murphy në Beograd ndodhi derisa shefi pro-rus i inteligjencës i Serbisë, Aleksandar Vulin, udhëtoi për në Moskë për një konferencë sigurie.

Serbia është gjithashtu një nga vendet e pakta me lidhje direkte ajrore me qytetet ruse dhe është pothuajse plotësisht e varur nga Rusia për furnizimet me energji.

I pyetur për vizitën e Vulin në Rusi, Murphy u përgjigj se “natyrisht Rusia po kërkon miq këto ditë”, por se nuk është “konstruktive” për asnjë komb të qëndrojë pranë Presidentit rus Vladimir Putin.

Të ngjashme