Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar pas publikimit të shpenzimeve enorme të Qeverisë Kurti për udhëtime jashtë vendit.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Murati ka kritikuar mediat duke i quajtuar ato “media qepuese” dhe duke thënë se po dezinformojnë me lajme të rreme.
“Tema e sotme e mediave qepuese qenka dezinformimi me lajme të rreme për shpenzimet për udhëtime jashtë vendit. Për të njëjtën temë, dhe pikërisht për të njëjtën arsye – plasim i rrenës – mu desh t’i reagoja ditë më parë edhe deputetit Haradinaj”, shkroi ai.
Më tej ministri Murati ka paraqitur grafikat e shpenzimeve për udhëtime zyrtare jashtë vendit, teksa është munduar t’i arsyetojë ato me dërgimin e Forcës së Sigurisë dhe Mbrojtjes në trajnime jashtë.
“Në foton e parë e keni nivelin e shpenzimeve për udhëtime zyrtare jashtë vendit, për të gjitha institucionet – Qeveria, Komunat, Kuvendi, institucionet e pavarura etj. Në foton e dytë e keni nivelin e shpenzimeve vetëm për Qeverinë. E ku rritja kryesore vjen si rezultat i dërgimit në trajnime të forcave të sigurisë e mbrojtjes”, shkroi më tej Murati.