Lajme
Murati: Po hyjmë në dimër pa pasur të qartë mungesën e energjisë
Demokracia
14:34 | 04 Nëntor 2022

Share:

Rritja ekonomike është ngadalësuar në vitin 2022 dhe parashikimet për vitin e ardhshëm janë të vështira për shkak të inflacionit dhe situatës sfiduese ekonomike edhe për Kosovën, theksoi Gabriel Di Bella me rastin e përfundimit të vizitës së misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë.

Murati thotë se po hyjmë në dimër pa pasur shumë të qartë mungesën e energjisë elektrike.

“Megjithëse nuk kemi program me FMN-në aktualisht, Fondi Monetar Ndërkombëtar vazhdon ta mbështesë shtetin e Kosovës në fushën e taksave dhe në fushën e politikave fiskale… Gjatë dy viteve të fundit ka pasur shumë sfida, duke filluar me pandeminë, krizën energjetike dhe lufta në Ukrainë që shkaktoi rritje të madhe të çmimeve dhe tani kemi edhe një problem që prapë po hyjmë në një dimër, duke mos pasur shumë qartësi sa i përket situatës energjetike në Evropë… Kemi pasur një ngadalësim të rritjes ekonomike këtë vit kjo për shkak të çmimeve ushqimore, të energjisë dhe të derivateve të naftës. Dhe me shpresën që do të kemi një stabilizim në këtë aspekt dhe një rënie graduale të këtyre çmimeve. Konsiderojmë se trendi rritës ekonomik do të vazhdojë , shpresojmë se do të jetë më i lartë se niveli i këtij viti. Ne kemi projektuar që të jetë rreth 5.5 për qind… Jemi munduar që të kemi adresim të prioriteteve si Qeveri, si në infrastrukturë, shëndetësi e arsim, pra duke shtuar buxhet”, theksoi Murati.

Sa i përket skandalit në Qendrën e të Moshuarve në Pejë, ministri Murati nuk ka treguar për ankesat që mund kenë ardhur dhe kontrollet në rastin e qendrës “Orenda”.

Murati tha shkurt se sikur institucionet tjera përkatëse dhe MFPT është duke u marrë me këtë rast.

“Të gjitha organet e rendit dhe institucionet përgjegjëse janë duke u marrë me rastin, përfshirë edhe ministrinë tonë, nga departamenti për politika sociale. Do t’ju mbajmë të informuar për çdo zhvillim që do të ketë në këtë fushë, marrë parasysh që kjo konferencë ka të bëjë me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Pra, nuk do të lëshohesha në detaje të tjera”, theksoi ai.

Lidhur me iniciativën tjetër qytetare për tërheqjen e mjeteve të Trustit, ministri Murati sërish është shprehur kundër.

Murati: Për Trustin, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë

“Qëndrimi ynë është parimor, që mjetet e Trustit Pensional kanë dedikim të veçantë dhe janë të parapara për moshën e pensionimit. Për mbështetje tjetër për qytetarët, prandaj është qeveria. Prandaj, kemi bërë dy pako deri më tani, një në prill dhe një shtator që t’u dalim në mbështetje qytetarëve duke filluar prej atyre që kanë më së shumti nevojë dhe kështu nuk ka mbetur asnjë familje pa përkrahje të shtetit. Pra, edhe një herë, qëndrimi i ynë parimor vazhdon të jetë i njëjtë dhe besoj që edhe në Kuvendin e Kosovës do të jetë rezultat i njëjtë sa i përket kësaj çështje”, theksoi Murati.

Edhe FMN- është shprehur kundër tërheqjeve të mjeteve të Trustit.

Të ngjashme