Lajme
Murati: Numri i veteranëve të UÇK-së nuk është i saktë, kemi kërkuar të bëhet verifikim
Demokracia
19:47 | 04 Dhjetor 2022

Share:

Në prezentimin e buxhetit për vitin e ardhshëm në Komunën e Gjakovës, ministri i Financave Hekuran Murati ka folur edhe për çështjen e pensioneve të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Murati ka thënë se listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “janë të fryra”, teksa ka shtuar se do të bëhet verifikimi me ligjin e ri.

“Këta numra të cilët figurojnë që nuk janë numra të saktë, me fjalë të tjera është fryrë numri”, tha Murati derisa ka prezantuar buxhetin për vitin e ardhshëm në Gjakovë ku prezent ishte edhe kryeministri Albin Kurti.

Ministri tha se ligji aktual ka mundësuar që të rritet kaq shumë numri i veteranëve.

“Si qeveri ne kemi bërë një dizajn të hapave se çka duhet të bëhet, pra kemi kërkuar që me një ligj të ri të bëhet një verifikim i cili na mundëson që ketë një trajtim të dinjitetshëm dhe një ri-kategorizim”.

“Nuk mund të ketë barazim për gjithë ato kategori siç e parasheh ligji aktual, i cili ka mundësuar që të rritet numri kaq shumë”, shtoi ai.

Një veteran i luftës aktualisht paguhet 170 euro. Sipas projektligjit të cilin e votuan shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës paga minimale do të jetë 264 euro ndërsa aktualisht është 130 dhe 170 euro.

Të ngjashme