Lajme
Murati: Nuk shoh zgjidhje tjetër mes Kosovës dhe Serbisë pos ripërcaktimit të kufijve
Demokracia
23:49 | 02 Shkurt 2022

Share:

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, thotë se nuk sheh zgjidhje tjetër përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, pos asaj me ndryshim kufijsh.

Madje, ai thotë se s’do të ketë as njohje reciproke, për të cilën u zotuan me radhë qeveritë e Kosovës, njofton Klan Kosova.

Murati është i mendimit që Kosova, gjatë dialogut me Serbinë, duhet të kërkojë reciprocitet të plotë në të gjitha çështjet.

“Kosova dhe kryeministri ynë me plot të drejtë morale do të duhej të hapet me propozime të ndryshme për serbët në Kosovë, për Asociacion apo për çfarëdo modeli. Por, ai duhet insistuar që e njëjta duhet të zbatohet edhe për shqiptarët në Serbi. Të kërkohet zbatimi i reciprocitetit në të gjitha fushat deri, madje, të kërkohet që të gjendet model për ndryshime kushtetuese në Serbi. Pse duhet vetëm që serbët në Kosovë të kenë të drejtën e vetos dhe privilegjeve kushtetuese?”.

“Një propozim i tillë, kur ne kërkojmë reciprocitet në të drejtat për serbët në veriun e Kosovës edhe për shqiptarët në Kosovën Lindore – aty mendoj se është fundi dhe zgjidhja e vetme, si dhe e duhura. Unë nuk shoh zgjidhje tjetër të fundit mes Kosovës dhe Serbisë. Unë nuk pres as njohje”.

Murati në Rubikon ka thënë se gjatë procesit të dialogut, Qeveria e Kosovës nuk duhet të gjendet as në defensivë, as s’duhet të jetë agresive në refuzim, por proaktive në propozimet e veta.

“Problemet që i kanë pasur me politikanët e Kosovës është që ne vetëm refuzojmë dhe shumë pak ofrojmë. Kjo për shkak se dialogu dhe zgjidhjet janë bërë pjesë e debatit elektoral dhe ne jemi futur në një rreth vicioz që e kemi bërë shumë problematik për çfarëdo debati për të gjitha opsionet që mund të jenë në tavolinë apo mund ta bëjnë Kosovën funksionale”.

Kreu i Lëvizjes për Bashkim thotë se Kosova duhet t’i përmbahet mesazheve që po i jep ShBA meqë pa këtë shtet nuk mund të arrijë asgjë.

“Kosova është në një pozicion jo krejtësisht të lakmueshëm, sepse Asociacioni pjesë e ligjeve të Kosovës, që i ka marrë, por njëkohësisht s’është që Kosova s’ka bërë disa përpjekje për ta zbatuar. Kjo pak përmendet. Edhe në kohën e kryeministrit Haradinaj, ka qenë një komision i ngarkuar për të hartuar statutin e Asociacionit. Pala serbe dhe përfaqësuesit serbë e kanë bojkotuar dhe refuzuar punën e këtij komisioni. Prandaj, pesha e presionit bie mbi Kosovën për zbatimin e Asociacionit”.

Të ngjashme